“Mini-shengeni Ballkanik”, Basha: Lëvizja e lirë e mallrave, mjafton konsolidimi i CEFTA-s
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas samitit të minishengentit në Durrës, teksa u fokusua te qarkullimi i lirë i mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe krahut të punës. Basha e sheh si të panevojshme këtë nismë të re, përsa kohë nisma të tjera, sikurse është CEFTA tashmë janë efektive.
“Për ne është e pashpjegueshme nevoja për një nisëm të re rajonale, ndërkohë që për këto qëllime kemi nisma të tjera me synime të ngjashme, siç është CEFTA e cila është dëshmuar tashmë si model i suksesshëm për integrimin rajonal dhe përgatitjen e të gjitha vendeve të Europës Qendrore e Lindore për integrimin në BE” tha Basha.
Sipas Bashës, nevojitet vetëm konsolidimi i kësaj marrëveshjeje.
“Është papërgjegjshmëri dhe dështim i kësaj qeverie fakti që pikërisht gjatë vitit kur Shqipëria ka presidencën e CEFTA-s, në vend që ta konsolidojë këtë organizatë e të nxisë zgjerimin me vende të tjera që aspirojnë integrimin europian si Ukraina apo Gjeorgjia, kjo qeveri po e saboton këtë organizatë duke shtyrë përpara një nisëm të re që e rivalizon dhe i mbivendoset” tha ai.
Sipas kryedemokratit, po kaq shqetësues është fakti se kjo nisëm u propozua pas refuzimit të BE për hapjen e negocitave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, sepse lë përshtypjen e krijimit të një blloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian. Po ashtu, sipas liderit demokrat fqinjësia e mirë në Ballkanin Perëndimor kurrsesi nuk mund të arrihet duke përjashtuar Republikën e Kosovës.
Liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kanë dakordësuar 9 pika, në kuadër të “Shengenit Ballkanik”gjatë samitit të zhvilluar të dielën në Ohër. Në dokument theksohet se objektivi për krijimin e tij lidhet me lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve dhe shërbimeve.
Ndërkohë që, në konferencën për shtyp, të zhvilluar pas samitit kryeministri Edi Rama deklaroi se krijimi i tij s’ka lidhje me refuzimin e Bashkimit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.