Ministeriali i 6 vendeve të Ballkanit, BE fond 40 mln euro për programin e eficencës së energjisë
Me praninë e Komisionerit Evropian për Zgjerimin Johannes Hahn u zhvillua sot në Shkup të Maqedonisë, ministeriali i 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria u përfaqësua nga ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri dhe zv.ministrja e Punëve të Jashtme Odeta Barbullushi.
Ministri Gjiknuri parashtroi në këtë takim ecurinë e sektorit energjetik në Shqipëri dhe hapat që parashikon të ndërmarrë qeveria me synim thellimin e kësaj reforme.
“Në kuadër të procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor dy janë fushat ku do të përqendrohet reforma. Së pari, në drejtim të krijimit të një tregu rajonal dhe së dyti sigurimi i qëndrueshmërisë energjetik edhe përmes rritjes së vëmendjes ndaj eficencës së energjisë”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Energjisë.
Nga ana tjetër Gjiknuri theksoi hapat e ndërmarra nga qeveria për krijimin e Bursës së Energjisë dhe liberalizimin e tregut. Duke shfrytëzuar prezencën e Komisionerit Hahn, ministri Gjiknuri kërkoi që Komisioni Evropian të luajë rolin e tij për të ndërhyrë me synim zgjidhjen e ngërçit rreth linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë.
Ministri Gjiknuri pohoi se pengesa të tilla të krijuara artificialisht, nuk ndihmojnë integrimin e tregjeve dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit. Në takim, Komisioni Evropian dhe Fondi Evropian i Investimeve firmosën marrëveshjen e dhënies së një kontributi prej 40 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian për të mbështetur Programin e Eficencës Rajonale të Energjisë.
Në sajë të këtij fondi pritet të përfitojë edhe Shqipëria në kuadër të krijimit të Agjencisë së Eficencës së Energjisë.
Në këtë takim, ministrat e energjisë ngritën shqetësimin e javëve të fundit lidhur me sigurinë e furnizimit për shkak të çmimeve të larta të importit në rajon të cilat janë shkaktuar si pasojë e temperaturave të ulëta dhe thatësirës. Kjo situatë ka bërë që në disa vende si Serbia dhe Kroacia çmimi i energjisë së importuar të shkojë deri në rekordin e 200 euro për megavat.
Referuar kësaj çështjeje, ministri Gjiknuri tha se Shqipëria e ka zbutur këtë situatë përmes shfrytëzimit optimal të rezervës së saj hidroenergjetike, duke u ekspozuar sa më pak ndaj kësaj krize energjetike në rajon.
Ministrat u dakordësuan të mbështesin kryerjen e një studimi për potencialet hidroenergjetike të të gjitha vendeve të rajonit, studim i cili në kuadër të procesit të konektivitetit në Ballkanin Perëndimor do të identifikojë burimet e reja energjetike që mund ti shërbejnë në të ardhmen të gjithë rajonit.
Osman Dedja/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.