Ministri Ahmetaj mirëpret sipërmarrësit italianë – “Portofol i përbashkët prej 17 mld eurosh”
Arben Ahmetaj, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, ka përshëndetur ditën e parë të “Misionit italian të biznesit në Shqipëri”. Janë mbi 350 delegatë nga vendi fqinj nga ente, shoqata, banka dhe rreth 200 sipërmarrje italiane, të cilat në kuadër të këtij aktiviteti do të do të njihen me klimën e biznesit dhe mundësitë që ofron Shqipëria.
“Është një mundësi e jashtëzakonshme për të afruar investime të reja nga këto kompani, që së bashku përfaqësojnë një portofol prej mbi 17 miliardë euro, si dhe për të konsoliduar prezencën e kompanive italiane në Shqipëri, në një vit tejet të rëndësishëm jo vetëm për ekonominë, por edhe për perspektivën europiane të vendit tonë”, shkruan Ahmetaj.
Misioni do të shtrihet në datat 18, 19 dhe 20 shkurt, ndërsa krahas përfaqësuesve më të lartë të biznesit në Itali, në takime do të marrin pjesë përfaqësues të kabinetit qeveritar shqiptar si kryeministri Rama, Ministrat Bushati, Gjiknuri, Klosi, si edhe kryebashkiaku Veliaj.
Në tryezat e rrumbullakëta, temat e bisedimeve do të jenë sektori i infrastrukturës, energjia dhe teknologjitë e gjelbra, si edhe makineritë agroushqimore dhe procesimi.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.