Ministri i Financave, Hoti: Në dy vite qeverisje, Kosova arriti stabilizim ekonomik

Ministri i Financave të Kosovës Avdullah Hoti ka vlerësua punën e qeverisë gjatë dy viteve në drejtimin e vendit.
Sipas tij, “gjatë kësaj periudhe, Kosova ka arritur të ketë stabilizim ekonomik dhe perspektivë për zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë”. Kreu i Financave në Kosovë ka renditur në 9 pika të arritjeve në ekonomi, gjatë dy viteve qeverisje:
1.Rritja ekonomike në Kosovë prej mbi 4% në këto dy vite të qeverisjes është stabilizuar dhe ka hyrë në një trend afatgjatë të rritjes së qëndrueshme, me potencial të arrijë 6-7%, varësisht nga progresi në disa projekte madhore dhe reforma institucionale.
2.Ambienti për biznes po përmirësohet vazhdimisht. Raporti i Bankës Botërore për ambientin për biznes e rendit Kosovën ndër vendet e para sa i përket fillimit të bizneseve. Në 2016 proceduat e pagesës së taksave janë përmirësuar dukshëm duke e renditur Kosovën 34 vende më lartë se një vit më parë, ndërkaq për tregtinë përtej kufijve Kosova ka përmirësuar në rankimin ndërkombëtar për 8 vende. Qeveria e Kosovës ka marrë shpërblimin si më reformatorja në mesin e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
3.Indeksi i liberalizmit ekonomik (i publikuar para një jave) për 2016 e rendit Kosovën shumë më mirë se një vit më parë, në vendin e 22 në Evropë, krahasuar me vendin e 35 një vit më parë. Ndërkaq, në nivel botëror Kosova renditet në vendin e 46, nga vendi i 84 sa ishte një vit më parë. Ky indeks ka të bëjë me liritë ekonomike, në veçanti promovimi i sipërmarrjes dhe inovacionit, taksat e ulëta dhe procedurat e tjera të mbrojtjes së konkurrencës.
4.Financat publike janë stabilizuar si asnjëherë më parë. Disiplina fiskale po jep rezultate. Organizatat buxhetore zbatojnë buxhetin duke ditur se çdo shifër në tabelat buxhetore të aprovuara në Kuvend është ligj dhe mos respektim i çdo shifre është shkelje e ligjit.
5.Programi me Fondin Monetar Ndërkombëtar po shkon shumë mirë dhe janë përmbushur të gjitha kriteret strukturore dhe targetet e të ardhurave dhe shpenzimeve. Janë realizuar kursime të konsiderueshme në zëra jo produktiv të buxhetit. Kjo ka dhënë sinjal tek investitorët potencial dhe vendet partnere të Kosovës për qëndrueshmërinë buxhetore të Kosovës.
6.Nga data 1 prill 2016 ka filluar së zbatuari Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, që i mundëson Kosovës qasje në tregun e madh të BE-së, por që vendos standarde të cilësisë që duhet të përmbushen. Mallrat e BE-së do të bëhen gjithnjë e më të lira për qytetarët tanë, pasi çdo vit ulen taksat doganore me vendet e BE-së me nga 2% deri sa të eliminohet tërësisht. Ministria e Financave ka përmbushur të gjitha detyrat që parashihen në kuadër të MSA-së.
7.Për shkak të rritjes ekonomike, Kosova sivjet del nga grupi i vendeve të pazhvilluara, dhe kalon në grupin e vendeve në zhvillim me të ardhura mesatare.
8.Viti 2017 shënon një moment të ri në zhvillim ekonomik:
– Buxheti prej 2 miliard euro është një rekord në këto vite, me strukturë të përmirësuar dukshëm në favor të investimeve kapitale, pasi investimet kapitale janë rritur me 46% krahasuar me një vit më parë.
– Ligji për Investime Strategjike do të mundësojë nisjen e projekteve të mëdha me procedura shumë më efikase.
– Ligji për Trepçën e qartëson të ardhmen e kësaj kompanie dhe mundëson shqyrtimin e modaliteteve të investimeve afatgjate në këtë kompani përmes partneriteteve publike-private dhe sjellje të përvojave më të mira ndërkombëtare.
– Projekti ‘Kosova e Re’ është në rrugë të mbarë për tu realizuar.
– Reformat e reja fiskale, që janë në diskutim, do të krijojnë një ambient shumë më të mirë për të bërë biznes dhe për investime të reja.
– Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore që menaxhohen nga AKP, ka filluar të ecë mbarë, duke tërhequr investitorë që mund t’i aktivizojnë asetet e lëna jashtë ekonomisë për një kohë të gjatë.
– Po ndryshojmë ligjin për AKP dhe po përgatisim ligjin për fondet për investime për të mundësuar përdorimin e mjeteve të privatizimit që po qëndrojnë të papërdorura në Bankën Qendrore.
9. Sfidat me sundimin e ligjit, efikasitetin e gjyqësorit në trajtimin e kontesteve ekonomike, efikasitetin e rregullatorëve në fusha të ndryshme të ekonomisë, burokracinë institucionale dhe ndarjen e pushteteve, mbesin edhe më tutje.
DY VITE TË QEVERISJES: STABILIZIM EKONOMIK DHE PERSPEKTIVË PËR ZHVILLIM TË QËNDRUESHËM AFATGJATË1. Rritja ekonomike n…
Posted by Avdullah Hoti on Sunday, February 26, 2017
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.