Ministri italian Calenda: Mbyllja e “Alitalia”-s do të ishte një shok për ekonominë

Ministri italian i Industrisë, Carlo Calenda tha të dielën se një kolaps i papritur i kompanisë ajrore Alitalia do të ishte një shok i vërtetë për ekonominë e Italisë.
Qeveria i ka ofruar kompanisë së prekur nga kriza, një kredi prej 400 milionë eurosh për të kaluar në një proces ku një administrator të vendosë nëse Alitalia mund të shitet apo duhet të likuidohet.
“Mbyllja e papritur e saj do të ishte një shok më i madh për PBB se sa skenari që po shohim për momentin: një periudhë e shkurtër prej gjashtë muajsh, të mbuluar nga një bridge-loan nga qeveria për të gjetur një blerës, i cili të mund të ofrojë një shërbim për kërkesat e italianëve si udhëtarë”, tha ministri në një intervistë për Sky.
Linjat ajrore rivale kanë treguar shumë pak interes në blerjen e Alitalia, ndërsa kreditorët kanë refuzuar të huazojnë më tepër para, pas rezultatit të refereundimit, ku punonjësit refuzuan një plan shpëtimi, që do të shkurtonte pagat dhe 1700 vende pune.
Ministri mbështeti gjatë intervistës të drejtat e punonjësve për të votuar si gjykojnë ata, madje e quajti jomorale ndëshkimin e tyre. Gjithsesi Calenda u shpreh se kupton edhe shqetësimin e kontribuuesve në kompani.
Megjithatë sipas tij, manaxhimi i kompanisë ka qenë arrogant dhe shpeshherë i gabuar.
“Ky manaxhim ka gabuar jo vetëm modelin e bizneset të kompanisë, por në disa raste ka patur një qasje pak arrogante, nga e cila nuk ka përfituar askush”, tha ministri Calenda.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.