Ministri Lleshaj: “Nga 11 prilli fillon shpërndarja e kartave dhe pasaportave tek qytetarët ”
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka njoftuar se pavarësisht mbylljes së aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti për shkak të pandemisë COVID-19, ato të cilat kanë qenë gati do të shpërndahen në mënyrë të kujdesshme tek qytetarët.
“Shfrytëzoj këtë mundësi për të komunikuar me publikun në lidhje me shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave të prodhuara ndërkohë.Dihet që për arsye të pandemisë, janë ndaluar veprimtaritë e zyrave të aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti, por ndërkohë një numër i madh kartash ID dhe pasaportash janë prodhuar dhe ne do të marrim masa që sipas një skeme të caktuar dhe shumë të sigurt, të mundësojmë që këto të shpërndahen”, thekson ai.
Ai thekson se për të kryer këtë detyrë ngarkohen zyrat përkatës, të cilat do të duhen të lënë një takim me qytetarët që kanë aplikuar dhe pasaporta dhe karta identiteti. Ministri Lleshaj tha se të gjitha kartat apo pasaporata që kanë skaduar në këtë periudhë pandemie nuk do të konsiderohen të tilla, por do t’u njihet vlefshmëria e tyre.
Ministri i Brendshëm u shpreh se edhe Bankave të nivelit të dytë i është komunikuar që t’i njohin të gjitha kartat dhe pasaportat që u ka skaduar vlefshmëria.
“Për këtë arsye zyrat përkatëse që janë përgjegjëse për shpërndarjen e kartave ID dhe pasaportave dhe bëhet fjalë për disa mijëra syresh, do të fillojmë nga nesër që të thërrasim qytetarët nominalisht, për të lënë takime për të marrë në dorëzim kartat apo pasaportat. Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë në këtë proces, i cili duhet të zhvillohet duke respektuar me rigorozitet të lartë të gjitha masat e sigurisë.Ndërkohë për të gjithë qytetarët e tjerë, të cilët nuk kanë pasur mundësi të paraqiten për t’i rinovuar kartat apo pasaportat e tyre, theksoj që të gjitha kartat apo pasaportat, të cilave u ka mbaruar afati i vlefshmërisë gjatë periudhës së epidemisë, ky afat vlefshmërie nuk do të njihet, pra ato do të konsiderohen të vlefshme për aq kohë sa pandemia do të zgjasë në Shqipëri apo më tej. Për këtë arsye ne do ta formalizojmë së shpejti me aktet përkatëse ligjore, të cilat do të mundësojnë njohjen e vlefshmërisë së çdo pasaporte apo karte identiteti, në të gjithë territorin e vendit, për aq kohë sa zgjat epidemia. Ndërkohë që për bankat, është komunikuar zyrtarisht me të gjithë drejtuesit e bankave të cilëve u është kërkuar nga Ministria e Brendshme që t’i njohin ndërkohë, edhe pa u formalizuar i gjithë procesi i njohjes, të njohin vlefshmërinë e të gjitha kartave dhe pasaportave të cilave u ka përfunduar vlefshmëria zyrtare gjatë kohës së epidemisë”, tha Lleshaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.