Ministri zviceran nën ‘zjarr’ rreth sponsorizimit të gjigantit të duhanit për Expo 2020
Ministri i Jashtëm zviceran Ignazio Cassis ka qenë nën ‘zjarr’ mbi një marrëveshje sponsorizimi 1.8 milionë frangash, që departamenti i tij realizoi me gjigantin e duhanit Philip Morris International, për të ndihmuar në financimin e pavijonit të Zvicrës Expo 2020 në Dubai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) po shqyrton paktin, ndërsa Shkolla e Shëndetit Publik të Zvicrës, një grup prej tetë universiteteve që ofrojnë arsim shëndetësor, i tha Cassis në një letër të bërë publike të mërkurën mbrëma, se marrja e parave të kompanisë së duhanit është në kundërshtim me parimet etike të shkencave shëndetësore. “Kjo industrie ka mashtruar publikun për dekada, ka shpërndarë gënjeshtra në lidhje me efektet e pirjes së duhanit dhe pirjes pasive, dhe me investime masive e mashtroi popullatën të besojë se shkenca nuk ishte e unifikuar në këto çështje”, shkruan fondacioni në një letër prej tre faqesh duke i kërkuar Cassis të mos pranojë paratë.
Ministria e Punëve të Jashtme zvicerane po përpiqej të kursente para publike me prezencën e saj në Expo 2020 kur vendosi objektivin për mbulimin e 50% të shpenzimeve nëpërmjet sponsorizimit privat, tha një zëdhënëse. Ministria bëri me dije se Cassis, një mjek dhe ish-presidenti i shoqatës kombëtare shëndetësore të Shëndetit Publik Schweiz, po studionte paktin me Philip Morris dhe po kërkonte mënyra për të zgjidhur atë që është bërë një fiasko e marrëdhënieve me publikun. “Shqyrtimi i opsioneve është duke u zhvilluar, por nuk është e qartë se sa kohë do të duhet“, vazhdoi njoftimin zëdhënësja.
Philip Morris është prodhuesja më e madhe e cigareve në botë me markën e saj Marlboro si dhe produkte të reja të duhanit me bazë të nxehtë, pasi ajo synon të zgjerohet përtej produkteve tradicionale të duhanit. Qendra e saj Operacionale Ndërkombëtare është në Zvicër, ashtu si edhe qendra më e madhe e kërkimit dhe zhvillimit, e quajtur Cube, ku janë të punësuar rreth 300 shkencëtarë. Një zëdhënës tha se kompania pa një mundësi për të nxjerrë në pah shkencën dhe inovacionin në Zvicër me paktin e sponsorizimit. “Planet specifike për Dubai Expo 2020 janë ende në zhvillim,” tha ai.
WHO me bazë në Gjenevë tha se marrëveshja me Philip Morris ka shkelur një memorandum mirëkuptimi (MOU) të vitit 2011, të nënshkruar me organizatën ekspozuese ndërshtetërore me qendër në Paris, Bureau International Expositions (BIE), duke adresuar çështjet e shëndetit publik lidhur me ngjarje të tilla globale. Ndër të tjera, Memorandumi i Mirëkuptimit përfshin ndalimet për reklamimin, shitjen, promovimin dhe sponsorizimin përmes produkteve të duhanit. OBSH po komunikon me BIE, si dhe me zyrtarët zviceranë në Bernë, mbi konfliktin, tha një zëdhënës i OBSH.
“Natyrisht, çdo sponsorizim apo shitje e produkteve të duhanit nuk do të ishte në pajtim me memorandumin,” tha zëdhënësi i WHO Christian Lindmeier. “WHO gjithmonë ka qenë shumë e ashpër në mesazhet e saj për produktet e duhanit. Rreth 8 milionë njerëz në vit vdesin nga sëmundjet që lidhen me pirjen e duhanit”. Rreth 27% e popullsisë zvicerane ose pinë duhan ose janë të ekspozuar rregullisht ndaj pirjes së duhanit pasiv, sipas një sondazhi të vitit 2017 nga Zyra Federale për Statistika. (Euronews & Reuters)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.