Ministria e Bujqësisë shpall konkursin – 5 mijë dollarë për fituesin që ideon brand-in e dyqaneve me prodhime shqiptare

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur konkursin për përzgjedhjen e brand-it të rrjetit më të ri të dyqaneve me prodhime tipike shqiptare. Deri më datë 21 Shkurt 2018, studentë, individë, studio, kompani të fushës, etj., kanë mundësi të bëhen pjesë me aplikimet e tyre.
Ministria, në kuadër të promovimit të produktit shqiptar, mbështetur në punën e deritanishme të bërë nga shumë bujq, fermerë, agropërpunues dhe artizanë shqiptarë, ka projektuar krijimin e një rrjeti dyqanesh me produkte cilësore vendase.
Produktet do të jenë 100% me origjinë nga territori dhe trevat e Shqipërisë, ndërsa dyqanet duhet të paraqesin pikërisht këto produkte me standarde maksimale, që nga cilësia, deri tek paketimi dhe marketimi i produktit.
Dyqanet do të vendosen në zona qendrore dhe të aksesueshme lehtë nga turistët vendas dhe të huaj.
Elementët tradicionalë kombëtarë janë një kërkesë specifike për këtë konkurs dhe aplikantët duhet të përpiqen t’i ndërthurin sa më mirë me elementë modernë.
Edhe lëndët ndërtuese dhe arredimi duhet të reflektojë kulturën shqiptare, ndaj këshillohet të përdoren materiale të riciklueshme, dru, kashtë, hekur, gur, etj.
Një aplikim i plotë duhet të përfshijë elementët e mëposhtëm:
- Ideimi i një logoje që përfaqëson denjësisht markën/produktin Tipik shqiptar
- Krijimi i një brand-i inovativ, tërheqës dhe të qëndrueshëm.
- Logo/Slogan i përshtatshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë
- Ideimi i nje projketi Vizual ne 3D i arredimit të dyqanit TIP
Idetë dhe materialet e mësipërme duhet të ngarkohen në formatin PDF në faqen e Ministrisë së Brendshme.
Përzgjedhja e fituesit, i cili do të marrë çmimi prej 5 mijë dollarësh, do të bëhet në dy faza dhe do të vlerësohen nga një juri e përbërë nga:
- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi
- Përfaqësues i RED (Regional Economic Development) z. Rezart Sako
- Kryeredaktore RTSH, znj.Yllka Gjikopulli
- Ekspertë të fushës
Për të vizituar faqen e aplikimit me informacionin më të zgjeruar, kliko këtu.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.