Ministria e Financave publikon aktin normativ: Rritet tatimi i zbritshëm për ata që kontribuojnë
Ministria e Financave dhe Ekonomisë nisur nga situata e jashtëzakonshme e krijuar nga tërmeti i datës 26 Nëntorit, u bën thirrje të gjitha bizneseve që të kontribuojnë për nismën “Shqipëria Solidare” me qëllim lehtësimin e pasojave nga ky tërmet tragjik, në ndihmë të familjeve të dëmtuara.
Për këtë qëllim Ministria e Financave ka njoftuar përgatitjen e Aktit Normativ sipas së cilit do të rritet nga 3% në 8% e fitimit te tatueshëm, njohja si shpenzim i zbritshëm i donacioneve në mjete monetare, të bëra nga bizneset. Kjo incentivë në shërbim të angazhimit tonë ekonomikisht solidar do të vlejë për periudhën e “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” brenda afatit të përcaktuar në legjislacion, ka bërë me dije ministria.
Shpenzimet e zbritshme në masën 8%, nga 3% që është aktualisht, do të mund të përfitohen vetëm nëse donacioni do të adresohet në llogaritë e thesarit, të vëna në dispozicion nga Ministria e Financave, vazhdon njoftimi. Gjithashtu ky akt vlen edhe për donacionet për shkak të shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” të bëra në formën e pasurive të paluajtshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.