Ministria e Financave rihap tenderin 83.3 mln lekë për asistencë këshillimore

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka rihapur sot tenderin për Asistencë Këshillimore për Menaxhimin e Financave dhe Borxhin Publik. Fondi limit i parashikuar për realizimin e këtij procesi është rreth 83.3 milionë lekë, shumë e cila është akorduar nga buxheti i shtetit.
Publikimi është bërë edhe në gjuhën angleze, çka nënkupton se do të kenë mundësi të paraqesin ofertat e tyre edhe kompani të huaja.
Procedura përfshin dy faza kryesore, ku në faza e parë konsiston në shprehjen e interesit dhe parakulifikimin. Në këtë fazë kandidatët dorëzojnë kërkesën për shprehje interesi së bashku me dokumentacionin përkatës. Më pas dokumentet shqyrtohen nga Autoriteti Kontrakto dhe vlerësohen nëse plotësojnë kërkesat në dokumentet e tenderit. Kandidatët e kualifikuar përfshihen në një listë të shkurtër e cila parashikon deri në 2 kandidatë.
Ndërsa, gjatë fazës së dytë, që është edhe faza e propozimit, ofertuesit e përzgjedhur në fazën e parë dërgojnë propozimet e tyre me ftesë të Autoritetit Kontraktor. Ky i fundit i jep kontratën Ofertuesit më të vlerësuar.
Agjencia e Prokurimit Publik ka rihapur garën për kompanitë e interesuara, e cila do të qëndrojë hapur deri në datën 23 Nëntor 2017.
Sa i përket kohëzgjatjes së kontratës, është parashikuar të jetë një vit që nga data e nënshkrimit të saj.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.