Ministria e Shëndetësisë i “dhuron” kompetencat e inspektimeve ministrisë së Bujqësisë! Çfarë ndryshon për bizneset
Autoriteti Kombëtar të Ushqimit do të marrë kompetenca shtesë për të inspektuar dhe garantuar plotësimin e kushteve higjieno- sanitare nga bizneset.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hedhur për konsultim publik projektligjin që kërkon ndarjen specifikime të kompetencave, ndërmjet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Inspektoratit Sanitar Shtetëror.
Ky projektligj, parashikon vetëm një institucion inspektues, në një kohë që aktualisht, të dy institucionet janë përgjegjëse lidhur me plotësimin e kushteve higjeno- sanitare nga bizneset.
“Objektivat dhe efektet e synuara të propozimit janë ndarja e qartë e kompetencave për inspektimin higjieno-sanitar ndërmjet institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë dhe strukturës përgjegjëse për inspektimin në fushën e shëndetit lidhur me inspektimet në objektet e prodhimit, ruajtjes, magazinimit, transportimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore;
ulja e barrës inspektuese për bizneset që operojnë në fushën e prodhimit, ruajtjes, magazinimit, transportimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore;
përditësimi i shkeljeve që përbëjnë kundërvajtje administrative sanitare dhe i dënimeve kryesore dhe plotësuese që kanë të drejtë të vendosë struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e shëndetit në vijim të përjashtimit nga fusha e inspektimit dhe monitorimit të objekteve ku prodhohen, ruhen, magazinohen, transportohen dhe tregtohen produkte ushqimore.” Specifikohet në relacionin bashkangjitur projektligjit.
Pas procesit të konsultimit publik, projektligji do të kalojë për miratim nga KM në Parlament.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.