Ministria e Shëndetësisë pa strukturë – Manastirliu: Po punohet për ngritjen. Vasili: Të ishte bërë me kohë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka ende gati strukturën organizative dhe funskionale, pas bashkimit në këtë dikaster të disa kompetencave.
Gjatë prezantimit të ristrukturimit të administratës, në komisionin parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, ministrja Ogerta Manastirliu tha se po punohet në këtë drejtim, ndërkohë që kreu i komisionit, Petrit Vasili tha se kjo procedurë duhej të ishte bërë me kohë, pasi kjo situatë është e papërshtatshme për një punë efiçente.
“Sipas devijimeve që u bënë do të thotë një strukturë aktualisht të organizimit të Ministrisë së re të Mirëqenies sociale në shpjegimin tuaj nuk është akoma operative”, shprehet Petrit Vasili.
“Struktura po vlerësohet në përputhje me fushën e përgjegjësisë në mënyrë që të reflektohet e gjitha funksionet që burojnë nga kjo fushë”, tha Ogerta Manastirliu.
Ndërkaq, rishpërndarja e buxhetit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, pranë ministrive të reja ka ngjallur debate mes deputetes Grida Duma dhe nënkryetares së komisionit Elisa Spiropali.
Sipas deputetes së PD-së, ndarja e buxhetit s’mund të bëhet mekanikisht, ndërkohë që Spiropali tha se deri në miratimin e buxhetit të ardhshëm ndarja e parave do të bëhet sipas drejtorive ekzistuese.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.