Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në Fier: Nga 1 janari rrisim me 18% pagat e naftëtarëve! Punonjësit në “sitë”
Duke filluar nga 1 Janari 2020, punonjësit naftëtarë do të përfitojnë një rritje page, mesatarisht 18 përqind.
Kjo u bë e ditur nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë festës të Vitit të Ri të organizuar për fëmijët e naftëtarëve nga Fieri, Patosi, Mallakastra, Roskoveci, Kuçova, Selenica etj. Në këtë ceremoni ministrja shoqërohej nga Administratorja e Albpetrol, Eriola Muka.
“Albpetrol ndodhet në procesin e një reformimi të thellë. Strategjia e re për këtë reformimin bazohet në disiplinimin e kësaj ndërmarrje me synim rritjen e efikasitetit.
I gjithë personeli prej 1800 punonjësish po kalon në një sitë të imët për të vlerësuar dobinë dhe përgjegjësinë që secili ka dhe sjell në ndërmarrje, duke larguar nga organika e fryrë personat të cilët kanë nuk kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese të kompanisë.
Edhe prodhimi është nën fokus të plotë të këtij procesi reformues dhe vetëm në tre muajt e fundit tetor – dhjetor kemi një rekuperim prej 1500 – 1600 ton gjithsej, me një bazë ditore shtesë 21 ton/ditë.
E gjitha kjo ka sjell mundësinë për të vlerësuar drejtë ata naftëtarë të cilët kryejnë detyrën dhe janë në konformitet me kontratën e punës. Kjo rritje e konsiderueshme page, synon nxitjen e mëtejshme të kësaj ndërmarrje për të arritur sa më parë objektivat e vendosura nga MIE në sektorin e hidrokarbureve për vitin e ri 2020” shkruhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.