Ministrja e Kulturës, Margariti në ’60 minuta‘: Rikonstruktimi i TK nuk do t’i jepte Tiranës Teatrin që meriton për 100 vitet në vijim! Inventari i rekuizitave është në proces, edhe mund të ketë humbje të materialeve për shkak se godina ka qenë e uzurpuar
Në emisionin ’60 minuta’ në RTV SCAN, e ftuar për të folur për gjendjen e artit dhe kulturës në Shqipëri, para dhe pas trazirave për Teatrin e Ri Kombëtar, ishte Ministrja e Kulturës Znj. Elva Margariti.
Ndër të tjera, e pyetur mbi vëmendjen e shtuar të qeverisë për rikonstruktimin e godinave me vlerë arkitekturore, Znj. Margariti është shprehur se është vetëm një ndër fokuset e Ministrisë së Kulturës, pasi ky është një proces i rëndësishëm për identitetin kulturor por dhe për shndërrimin e artit në atraksion turistike.
E pyetur mbi mënyrën e shembjes së godinës të Teatrit Kombëtar, ministrja është shprehur se një dialog gati 20-vjecar u mbyll në një proces të rëndësishëm për të ardhmen e artit në Shqipëri.
Më tej për çështjen e Teatrit, Ministrja ka thënë se në gjithë këtë negativitet të ngritur, ka një gjë pozitive mbi politizimin e kauzës së Teatrit: “Më në fund, edhe pse për arsye nga më të ndryshme, politika po i kushton vëmendje artit, e sidomos aspekteve ekonomike që lidhen me investimet për të. “Konflikti i lindur së fundmi për çështjen e shembjes, erdhi në ekzistencë edhe për shkak të faktit që në vitet e fundit, godina e Teatrit ishte e uzurpuar.”, ka shtuar më tej ministrja.
E pyetur mbi pamundësinë e restaurimit, Znj. Margariti është shprehur se çdo restaurim do të ishte në fakt një tjetërsim i origjinalitetit të objektit, dhe jo një konservim i materialeve me të cilat është realizuar godina, pasi materialet në vetvete kanë qenë të pa rikonstruktueshme dhe të papërdorshme në vitin 2020. Mbi të gjitha, ka shtuar ministrja, rikonstruktim do të thotë mbajta e të njëjtit volum ndërtimi për Teatrin dhe kjo është e pamundur për shkak se Tirana e 100 viteve në vijim kërkon një teatër më të madh dhe më modern.
E pyetur mbi shqetësimin e arkivave të Teatrit Kombëtar, Znj. Margariti se inventari është ende në proces përmbushjeje, materialet dhe dokumentacionet janë mbledhur, por procesi është i gjatë dhe ka qenë i penguar për shkak të uzurpimit. Ministrja ka vijuar më tej duke thënë se për shkak se inventari është në proces, ende nuk dihet nëse ka humbje të materialeve, por gjithsesi nuk e ka përjashtuar këtë mundësi, për shkak se godina ka qenë për vite e uzurpuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.