Ministrja Krifca takon fermerët: Prodhuesit të fokusohen tek gruri, elbi e misri vendas!

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ka bërë me dije se është takuar me fermerë të prodhimit të grurit në Katundin e Ri, Durrës, të cilët folën për prodhimin dhe pritshmëritë e shitjes. Ministrja pohoi se bujqësia po përballet me sfida të mëdha për shkak të rritjes së kostove, sikurse edhe në Angli dhe Francë ku ajo ishte për vizitë gjatë ditëve të kaluara në takime me ministritë përkatëse.
“Jemi në periudhën e aplikimeve të Skemës Kombëtare. Ju keni përfituar nga skema e naftës vitin e kaluar, uroj të keni aplikuar përsëri dhe të keni orientuar edhe fermerët e tjerë për ta bërë këtë. Më vjen shumë mirë që të mund të vijmë në ndihmë sadopak me uljen e kostove të prodhimit të një kulture që tashmë është më e rëndësishme se kurrë. Ne jemi importues për një pjese te nevojave tona te grurit. Aktualisht nga Rusia nuk mund të importojmë më. Unë kam takuar përpunuesit e grurit në vend për të kuptuar a do të kemi problematika dhe ata më kanë siguruar se në rast problematikash kanë çdo mundësi për t’u orientuar në tregje të reja. Kjo sigurisht është një mundësi për prodhuesit vendorë që të fokusohen te gruri, kështu që përpunuesit të mund të marrin grurin, elbin dhe misrin e prodhuar në vend, që tashmë vjen me një cilësi gjithnjë e më të mirë”, u shpreh Krifca.
Sipas njoftimit gjatë bisedës me fermerët e mbledhur, të cilët morën informacion më të qartë edhe për Skemën e Mbështetjes, Ministrja Krifca siguroi se Ministria e Bujqësisë do të jetë krah tyre për të kapërcyer së bashku çdo sfidë.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.