Ministrja Kushi vlerëson pozitivisht vendimin e Komunitetit të Ekspertëve / “Qëllimi ynë është sa më shumë mbështetje për studentët”
Ditën e sotshme Komiteti i Ekspertëve ka deklaruar se lejohet rikthimi i studentëve në klasat e auditorit për konsultime dhe provime. Ky vendim është përshëndetur dhe nga Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit Znj. Evis Kushi, e cila ka theksuar se tanimë përgjegjësia e përbashkët duhet të vërë theksin tek sigurimi i shëndetit dhe cilësisë së arsimit.
Deklarata e Plotë:
Të dashur studentë, pedagogë dhe punonjës të universiteteve,
Së pari dua t’ju falenderoj të gjithëve për punën, energjinë dhe durimin e treguar gjatë gjithë këtij viti akademik në përshtatje me normalitetin e ri të shkaktuar nga pandemia.
I kemi vlerësuar dhe mirëkuptuar në mënyrë të vazhdueshme kërkesat tuaja të drejta për hapjen e auditoreve. Ka qenë një sakrificë e jashtëzakonshme për të gjithë së bashku që procesi mësimor në të gjithë elementet e tij të zhvillohej totalisht online, por besoj që ja kemi dalë të gjithë që të bëjmë më të mirën e mundshme për të vazhduar përpara.
Më në fund, me përmirësimin e situatës dhe vaksinimin e stafeve universitare, Komiteti Teknik i Ekspertëve vlerësoi pozitivisht kërkesën tonë për t’ju dhënë mundësinë për të zhvilluar orë konsultimi dhe provime në auditoret e universiteteve në prag të mbylljes së këtij viti akademik.
Përgjegjësia jonë e përbashkët është të punojmë intensivisht për të garantuar një proces sa më të rregullt, ku natyrisht prioriteti absolut është shëndeti dhe jeta e gjithsecilit. Le ta përdorim maksimalisht këtë periudhë për të komunikuar e për t’i mbështetur sa më shumë studentët me qëllim finalizimin me sukses të këtij viti akademik.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të jetë gjithmonë në krahun tuaj për t’ju mbështetur përballë çdo vështirësie dhe nevoje të mundshme.
Kam shumë besim tek ju dhe jam e sigurt që do t’ja dalim!
Shumë suksese dhe përqafime,
Evis Kushi
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.