Takimi i parë me biznesin – Ministrja e Financave kërkon bashkëpunimin e sipërmarrjes
Problematikat që shqetësojnë biznesin aktualisht janë diskutuar mes sipërmarrjes dhe ministres së Financave, Helga Vukaj.
Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura në zyrat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së kryeqytetit, ku dhe pas tij nuk ka pasur një prononcim për mediat as nga ministrja dhe as nga përfaqësuesit e biznesit.
Sipas njoftimit nga zyra e shtypit e Ministrisë së Financave, Vukaj theksoi në takim se shërbimi me korrektësi dhe përulësi ndaj biznesit, si motori i zhvillimit të vendit, është dhe do të jetë edhe në vijim obligimi kryesor.
Ajo ka kërkuar nga përfaqësuesit e biznesit që të denoncojnë çdo rast presioni abuziv nga administrata fiskale, për kontroll apo gjobëvënës. “Presioni ndaj jush për çfarëdo lloj arsye, elektorale apo korruptive, është kriminal”, mësohet të jetë shprehur ministrja. Po sipas njoftimit të dikasterit të financave, përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Arben Shkodra, shprehu nevojën e rritjes së bashkëpunimit mes biznesit dhe qeverisë, si dhe rritjen e nivelit të konsultimit publik në interes të zhvillimit ekonomik të vendit. Duke folur në terma konkretë, ministrja e Financave, ka prekur procedurat doganore, sidomos eksportet. Sipas saj, duhet mundësuar standardi europian në kontrollin në doganë, bazuar në kritere selektiviteti dhe analize risku.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.