Minutat e fundit të votimit/PD, PS dhe LSI apel qytetarëve: Votoni, votoni, votoni!
Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe LSI kanë bërë apelet e fundit për qytetarët që të nxitojnë të votojnë nëse nuk e kanë bërë ende këtë gjë.
“Faleminderit me shumë mirënjohje të gjithë atyre që votuan deri më tani! Faleminderit edhe për qytetarinë e treguar gjatë gjithë ditës, ku paqësisht e qetësisht keni marrë pjesë masivisht në këtë proces kaq me rëndësi për të ardhmen e vendit! Mbeten edhe minutat e fundit siç do të thuhej në një ndeshje sportive dhe kush nuk ka votuar ende, le të përshihet në proces, të shkojë e të votojë deri në orën 19.00! Ushtrojeni të drejtën tuaj themelore dhe bëjeni detyrën tuaj në këtë ditë kur politika hesht dhe populli flet!
Ndiqni shembullin e atyre që deri më tani e bënë detyrën e tyre dhe mos e harroni se sa më shumë të marrim pjesë në zgjedhje, aq shumë politika i merr parasysh hallet, shpresat dhe ëndrrat tona! Janë vetëm pesë minuta nga koha juaj, që ndikojnë drejtëpërdrejtë për si do të jenë vitet që kemi përpara! Votoni, votoni, votoni” apeloi zëdhënësja e fushatës së Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi.
Të njëjtin apel ka bërë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
“Kjo është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë. Kemi edhe një orë mundësi për të votuarm, nëse nuk keni votuar akoma. Merreni këtë mundësi tani. Dilni nga shtëpitë tuaja, dilni e votoni për të ardhmen e Shqipërisë. Nëse keni votuar faleminderit. Është ditë e mrekullueshme për demokracinë shqiptare. Edhe një orë për të marrë fatin tonë në dorë. Dilni masivisht dhe votoni” deklaroi Basha.
Edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka bërë apel për të shfrytëzuar minutat e mbetura për të votuar.
“Ndryshimi ka ardhur. Është e jashtëzakoshme pjesëmarrja por edhe një votë është e domosdoshme për ta çuar Shqipërinë në Europë. Projeksionet janë të jashtëzakonshme. I ftoj ata që janë skeptikë, që nuk besojnë te institucioni i votës, që në këto minuta të shkojnë me vrap të qendrat e votimit. Falenderoj ata që kanë votuar. Ata që kanë qenë pjesë e procesit. Ata që duan të ndryshojnë Shqipërinë. Votoni, votoni, votoni. Sot më shumë se kurrë vota juaj ka vlerë. Vota juaj përfundimisht i jep drejtimin Shqipërisë drejt Europës” tha Monika Kryemadhi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.