Miratohet afati për koncesionin – Deputetet shprehin rezerva për fondet e investuara në miniera

Koncensionari që shfrytëzon nxjerrjen e bakrit dhe kromit në veri të vendit ka kërkuar shtyrjen e afatit kohor për 12 vjet. Edhe pse me shume rezerva për nivelin e investimit dhe shfrytëzimit të kësaj kompanie, deputetët e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë e kanë miratuar këtë kërkesë.
Argumentimi i zyrtarëve të Ministrisë së Energjetikës, ka qenë tejkalimi i vlerës së investimit dhe nxjerrjes së masës së bakrit.
“Sot shoqëria ka investuar 72,6 milionë dollarë, pra rreth 55 milionë dollarë më tepër, gati trefishi i asaj të parashikuar në marrëveshjen koncesionare. Kjo ka bërë sigurisht që minierat të hapen dhe përgatiten gjatë kësaj periudhe për shfrytëzimin e mineralit të bakrit, siç janë miniera e Munellës,etj. Por një rol të veçantë në këtë shoqëri koncesionare ka luajtur edhe përpunimi i mineralit të bakrit në Fushë-Arrëz, dhe fakti është që teknologjia e përdorur si në hapjen e minierës, në shfrytëzimin e saj, po ashtu edhe në përpunimin e mineralit të bakrit është një teknologji shumë e avancuar“, u shpreh para komisionit Gëzim Musabelliu, zv/ministri i Energjttikës.
Deputetët Erjon Braçe dhe Ervin Bushati e kanë kundërshtuar duke vënë në dyshim seriozitetin e koncensionarit, sipas të cilit në disa raste është ndërprerë puna, si rezultat i uljes së çmimit të mineraleve në tregun ndërkombëtar.
Edhe pse komisioni e miratoi këtë draft, pritet që në diskutimin në seancën plenare të ketë debate mbi të.
Sipas relacionit që shoqëron draftin, marrëveshja e koncesionit është lidhur në vitin 2001 dhe tashmë kanë kaluar rreth 15 vite nga momenti kur koncensioni i formës “BOT”, iu dha shoqërisë turke “Ber-Oner” për disa objekte të industrisë së bakrit dhe të kromit.
Koncesionari ka ndryshuar emrin e regjistrimit në vitin 2007 nga shoqëria turke Ber-Oner Madencilik san.ve.tic.A.S, në NESKO METAL SAN.TIC.A.S.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.