Miratohet Kodi për Përmbaruesit – Profesioni i Përmbaruesit do t’i nënshtrohet Kodit Etik, të sapo-miratuar nga Ministria e Drejtësisë
Nga detyrimi i ruajtjes së konfidencialitetit e sekretit profesional, te konflikti i interesit, e deri te respektimi i të drejtave që i garanton ligji personave fizikë apo juridike që bëhen subjekt të veprimeve përmbarimore. Ministria e Drejtësisë ka publikuar Kodin Etik për Profesionin e Përmbaruesit, ku përcakton standardet dhe rregullat e etikës profesionale në ushtrimin e profesionit dhe veprimtarisë përmbarimore në shërbim të interesave të ligjshme të personave fizikë e juridikë; si dhe rregullat mbi të drejtat dhe përgjegjësitë profesionale të përmbaruesit gjyqësor privat gjatë ushtrimit të veprimtarisë përmbarimore.
Përmbaruesi gjyqësor privat, në bazë të Kodit, duhet të shmangë çdo veprim, mosveprim arbitrar apo çdo trajtim preferencial, si dhe të jetë i pandikuar nga çdo interes tjetër, personal, politik, familjar dhe shoqëror, ndërkohë që është i detyruar të respektojë të drejtën e konfidencialitetit të klientëve dhe të personave të interesuar. Gjithsesi, Sekreti profesional nuk është absolut, ai është në varësi të interesit të përgjithshëm dhe të së mirës së përbashkët, pasi përmbaruesi gjyqësor privat do duhet të tregojë përmbajtjen e arkivave të tij vetëm në procedurat e përcaktuara me ligj.
Risi e Kodit është edhe konflikti i interesit. Përmbaruesit janë të detyruar të heqin dorë nga çështja në rastin e interesit personal, të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me të apo të afërmit e tij deri në
shkallën e dytë, në çështjen për të cilën kërkohet ose ka filluar ekzekutimi; apo në rastet kur ai vetë, bashkëshorti/ja ose të afërmit e tij deri në shkallën e dytë janë në konflikt gjyqësor, në marrëdhënie kredie ose huaje me njërën prej palëve në proces ekzekutimi.
Kodi parashikon edhe masat disiplinore për rastet kur përmbaruesit shkelin rregullat e ushtrimit të profesionit.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.