Miratohet plani për kontrollin e armëve të lehta, eksplozivëve apo municioneve – Masa konkrete edhe për fenomenet e reja

Ministri i brendshëm Bledi Çuçi në komunikimin e vendimeve të reja të qeverisë ka njoftuar se është miratuar plani strategjik për vitet 2022-2024 për kontrollin e armëve të lehta, eksplozivëve apo municioneve
“Sot miratuam në qeveri planet e veprimit për vitet 2022-2024, për zbatimin e strategjisë për kontrollin e armëve të lehta, të vogla, eksplozive dhe municioneve si një plan i cili do të mundësoj pikërisht zbatimin e kësaj strategjie për këto 2 vite. Siguria mbetet një prioritet absolut i qeverisë, dhe kryerja e krimeve me armë zjarri është një shqetësim jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë botën prandaj ky plan veprimi parashikon që të parandalojë posedimin e armëve pa leje në duart e civilëve, synon parandalimin dhe kontrollin e trafikut të armëve të lehta dhe të vogla. Gjithashtu synon edhe disiplinimin më të fortë të licencimit të përdorimit të armëve, jo vetëm armëve luftarake por edhe të armëve të gjahut si dhe disiplinimin e agjencive private të sigurisë” u shpreh Çuçi.
“Janë parashikuar shumë masa konkrete, masa të cilat kanë të bëjnë edhe me fenomene të reja që kanë lindur ndërkohë jo vetëm në Shqipëri por edhe në gjithë botën përsa i takon trafikimit apo prodhimit të armëve dhe kështu ne kemi parashikuar të bëjmë disa ndryshime në kodin penal dhe të kriminalizojmë disa figura të reja të krimit që kanë të bëjnë me trafikimin siç është ajo e nëpërmjet kolive postare apo kemi kriminalizuar përdorimin apo posedimin e pajisjeve që mundësojnë krijimin 3D të armëve”, theksoi ai.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.