Miratohet rregullorja për furnizimin me energji – Përcaktohet kushtet, detyrimet dhe të drejtat e palëve
Bordi i Entit Rregullator të Energjisë ka miratuar kushtet e shërbimit të furnizimit me energji elektrike për klientët fundorë. Rregullorja e re, e cila ka hyrë në fuqi më datë 18 Dhjetor dhe është botuar ditën e premte në Fletoren Zyrtare, përcakton kushtet dhe procedurat për lidhjen e prishjen e kontratës, si edhe detyrimet e palëve.
Teksa rregullorja përfshin në një pjesë të madhe procedura që tashmë janë në zbatim prej kohësh, vendimi i ERE shërben për të forcuar të drejtat dhe detyrimet e secilës palë. Kështu, për lidhjen e kontratës së furnizimit me energji elektrike, aplikuesi duhet të marrë një përgjigje brenda 15 ditësh, ndërsa në mungesë të dokumentacionit duhet të njoftohet brenda 7 ditësh për të bërë plotësimin.
Rregullorja përcakton edhe kushtet për pezullimin apo përfundimin e kontratës, të cilat kanë të bëjnë me shkelje si: mospagimi i detyrimeve brenda 1 muaji nga ndërprerja e energjisë; furnizimi i energjisë në mënyrë të paligjshme; si edhe nëse klienti për më shumë se 3 muaj nuk i krijon akses furnizuesit të lexojë dhe verifikojë matësin, kur ky i fundit ndodhet brenda kufijve të pronësisë së klientit.
Klienti ka të drejtë të kërkojë pezullimin e kontratës për një kohë të caktuar, kërkesë e cila miratohet pas pagimit të detyrimeve. Kontrata e furnizimit mund të lidhet më pas brenda 48 orësh nga paraqitja e kërkesës me shkrim nga ana e klientit.
Ndër të tjera, në rregullore i kushtohet një pikë e veçantë edhe kontrollit të sistemit matës, i cili duhet të instalohet pa pagesë nga furnizuesi. Në rast të konstatimit të ndërhyrjeve të qëllimta nga klienti në matës, atëherë ai do të procedohet sipas ligjeve në fuqi.
Po ashtu, në rastet kur matësi ka pasaktësi, por jo për shkak të dëmtimeve të klientit, do të bëhet llogaritja e energjisë së faturuar më shumë ose më pak dhe do të nisë procedura e rimbursimit.
Ju mund të lexoni rregulloren e plotë duke klikuar këtu.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.