Miratohet shkarkimi i Trump – Dhoma e Përfaqësuesve voton pro. Pritet gjykimi i Senatit
Donald Trump u bë presidenti i tretë në Shtetet e Bashkuara që i nënshtrohet procesit të shkarkimit, ndërkohë që Dhoma e Përfaqësuesve e akuzoi atë për shpërdorim të detyrës dhe pengimin e hetimeve të Kongresit. Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga demokratët, miratoi dy akuza të shkarkimit, duke e çuar çështjen tashmë në Senatin e kontrolluar nga republikanët, ku do të vendoset nëse Trump do të dënohet apo hiqet nga detyra.
Akuza e parë, për abuzimin e detyrës, u kalua me 230 vota pro dhe 197 kundër, ndërsa akuza për pengimin e hetimeve, me 229 pro dhe 198 kundër. Dhoma e Përfaqësuesve do të zgjedhë politikanë që të prezantojnë çështjen kundër Trump gjatë gjykimit në Senat. Demokratët thonë se këto do të vijnë nga Komisioni i Inteligjencës, që drejtoi hetimin. Gjykatësi kryesor John Roberts do të drejtojë seancën.
Politikanët e dhomë së Përfaqësuesve do të prezantojnë çështjen kundër Trump dhe ekipi ligjor i presidentit do të përgjigjet, ndërkohë që senatorët do të veprojnë si juria. Asnjë president në historinë 243 vjeçare të SHBA nuk është hequr nga detyra nëpërmjet procedurës “impeachment”. Kjo do të kërkojë një shumicë prej 2/3 në Senatin me 100 vende, çka nënkupton se të paktën 20 republikanë duhet t’i bashkohen demokratëve për të votuar kundër Trump.
Republikani më i lartë në Senat, Mitch McConnel, ka thënë se nuk ka shans që dhoma e tij të shkarkojë Trump. Donald Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar rivalin Joe Biden, garuesin kryesor të demokratëve në zgjedhjet e vitit 2020. Sipas akuzës së dytë, Trump ka penguar kongresin, duke drejtuar administratën dhe agjencitë që t’i mos binden thirrjeve të Dhomës së Përfaqësuesve për dëshmi dhe dokumenteve të lidhura me “impeachment”. Trump, që kërkon një tjetër mandat 4-vjeçar në Nëntor 2020, ka mohuar akuzat dhe i ka quajtur ato një përpjekje për “grusht shteti” nga demokratët.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.