Mirëmanaxhimi i ujësjellësit – Veliaj: Bashkëpunim me Puljan, program investimesh
Bashkia e Tiranës dhe Rajoni i Puljas do të shtojnë bashkëpunimin midis tyre në fushën e menaxhimit dhe të trajtimit të ujit të pijshëm. Kryebashkiaku, Erion Veliaj, priti në një vizitë Presidentin e Rajonit të Puljas, Michele Emiliano, me të cilin bisedoi mbi përfitimet e përbashkëta nga projektet e programit INTERREG, Pulja – Shqipëri, i cili i hap rrugën investimeve të rëndësishme në këtë sektorin e ujit.
“Lajmi i parë i mirë ka të bëjë me miratimin e projekteve INTERREG, për bashkëpunim midis Ujësjellësit të Puljas dhe Ujësjellësit të Tiranës. Në fakt, qëllon që dy ujësjellësat tanë janë ata që performojnë më mirë në vendet respektive. Ashtu siç po bëjmë me BERZH-in për të marrë kredi për dy investime të rëndësishme, ashtu do të vazhdojmë edhe masterplanin me Ujësjellësin e Puljas, për t’u siguruar që Tirana ka shërbimin më të mirë, edhe në këtë fushë, ashtu siç ka shërbimin më të mirë në fushat e tjera”, u shpreh Veliaj.
Kreu i bashkisë vlerësoi performancën e treguar nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë për eliminimin e avarive në rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm te konsumatorët, si dhe në administrimin e të ardhurave. Ndërkohë që, paralelisht me investimet në ujësjellës, Rajoni i Pulias do t’i bashkohet nismës së Bashkisë së Tiranës në projektin për krijimin e “Pyllit Orbital”, që do të rrethojë kryeqytetin me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.