Mirëmbajtja e rrugëve, Basha: Prokuroria të nisë hetime për shpërdorime fondesh
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkon nga Prokuroria e Përgjithshme që të nisin hetimet për shpërdorim të fondeve publike për mirëmbajtjen e rrugëve. Në daljen për mediat Basha tha se mijëra familje në mbarë vendin janë të izoluara nga bora ndërkohë që kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve nuk kanë bërë pastrimin e tyre.
“Kjo e shtunë vazhdon të mbetet ditë e vështirë për mijëra familje të izoluara nga bora në mbarë Shqipërinë ndërkohë që qindra milionë lekë janë shpërdoruar pa lënë asnjë gjurmë nga qeveria në bashkëpunim me oligarkë dhe kompani të papërgjegjshme të cilat në vend që të bëjnë pastrimin e segmenteve rrugore nga bora dhe trajtimin e tyre me kripë sipas kontratave përkatëse kanë vjedhur paratë dhe po i shijojnë në pushime luksi sëbashku me zyrtarë e politikanë të korruptuar.
Prokuroria të nisë pa asnjë vonesë hetimet se ku kanë shkuar lekët e taksapaguesve shqiptarë që kanë përpirë këto kompani dhe të marrin përgjegjësi penale drejtuesit e tyre dhe zyrtarët përkatës, nga ata që kanë nënshkruar kontratat deri te ministri e çdo autoritet shtetëror në mënyrë që kjo vjedhje që po rëndon sot mbi shëndetin dhe gjendjen e mijëra familjeve shqiptare të izoluara nga bora të mos mbetet pa përgjegjësi dhe që këto para t’i rikthehen arkës së shtetit e taksapaguesve” tha Basha.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.