Mirëmbajtja e TAP – “Albgaz” 90 ditë kohë për të negociuar me kompaninë italiane

Teksa projekti i gazsjellësit TAP është përfunduar në mbi 2/3 e tij, operatori i gazit natyror në Shqipëri, “Albgaz” do të negociojë për krijimin e një shoqërie të përbashkët për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit në territorin e vendit.
Qeveria i ka dhënë dritën jeshile nisjes së bisedimeve mes kompanisë me kapital 100% shtetëror dhe kompanisë italiane që fitoi procedurën konkurruese për të qenë partner i “Albgaz”.
Bëhet fjalë për operatorin italian të transmetimit të gazit natyror “SNAM”, i cili së fundmi i është shtuar listës së eksportuesve të gazit në Europë.
Procedurat e negocimit nuk duhet të zgjasin më shumë se 90 ditë nga botimi i vendimit në Fletoren Zyrtare, pra duhet të përfundojnë brenda Qershorit.
Komisioni i negocimit të marrëveshjes me SNAM do të përbëhet nga 7 anëtarë, ku 2 janë përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, 2 nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, 1 nga Avokatura e Shtetit, si dhe 2 përfaqësues nga shoqëria “Albgaz”. Ndërkohë grupi do të kryesohet nga administratori i “Albgaz”, Genci Gjeçi.
Krahas shoqërisë së përbashkët që do të krijohet, “Albgaz” dhe “SNAM” kanë firmosur gjatë vitit të kaluar edhe një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri. Kompania shqiptare pritet të përfitojë nga këto bashkëpunime eksperiencën 75 vjeçare të operatorit italian.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.