Misioni i parë privat drejt hënës do të niset në 2018-ën

SpaceX po planifikon të dërgojë vitin tjetër dy individë privatë në një udhëtim rreth hënës. CEO i kompanisë, Elon Musk dha detajet e misionit, i cili do të përdorë dy nga teknologjitë më të pritura të SpaceX: kapsulën për ekuipazhin Crew Dragon dhe raketën e fuqishme Falcon Heavy Rocket.
Dy njerëzit misteriozë do të ngrihen nga e njëjta platformë e përdorur edhe për misionet Apollo.
Nga i gjithë misioni, vetëm platforma është testuar më parë, ndërsa dy teknologjitë e tjera janë ende në fazë kërkimi dhe zhvillimi.
Kompania ka kohë që planifikon të kryejë udhëtime me individë privatë. Në 2014-ën, NASA miratoi tendera për SpaceX dhe Boeing, që të dërgojnë astronautë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. I pari nga këto udhëtime pritet të niset në pjesën e dytë të 2018-ës. Kjo do të ndodhë pas testimit me një kapsulë autonome, pa ekuipazh që do të dërgohet në SNH në fund të këtij viti.
CEO i kësaj kompanie nuk i tregoi emrat e personave që do të kryejnë këtë udhëtim, por zbuloi se ata kanë paguar një shumë të konsiderueshme për misionin e hënës. Përpara se të dërgohen në hapësirë, ata do të kryejnë javë të tëra trajnimesh si dhe teste fizike e shëndetësore.
Misioni pritet të zgjasë afërsisht një javë.
“Do të rrëshqasim në sipërfaqen e hënës, do të shkojmë pak më tutje në hapësirë e më pas do të kthehemi sërish drejt tokës. Mendoj se do të jetë një distancë midis 500 mijë dhe 650 mijë kilometrash”, tha Musk.
Kompania ambicioze ka caktuar vitin 2020 për nisjen e një misioni tjetër, kësaj radhe drejt Marsit.
Edhe për këtë mision kompania do të duhet të bëjë ndryshime në kapsulë, pasi është projektuar për orbita të ulëta. Sipas Musk, kapsula është mjaft rezistente ndaj mendohet se do të ketë nevojë për ndryshim vetëm në sistemin e komunikacionit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.