Misioni “Rusia”, Shqipëria prezanton ofertën turistike në Panairin e Moskës

Oferta turistike e Shqipërisë është prezantuar në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit dhe Udhëtimit në Moskë, i cili është i hapur nga 13-15 Mars. Krahas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit, në ekspozitë marrin pjesë edhe tur operatorë shqiptarë.
Panairi i Moskës konsiderohet si ndër më të rëndësishmit në Europë dhe është mundësia më e mirë për të krijuar lidhje me biznese të tjera në Rusi, nga fusha e transportit, udhëtimit dhe akomodimit.
Shqipëria do të përpiqet të thithë sa më shumë turistë të rinj, për të rritur numrin e 15 mijë turistëve rusë që vizitojnë vendin tonë çdo vit.
Ambasadori i Rusisë në Tiranë, është shprehur në një intervistë për SCAN në emisionin “Passport” se pengesa kryesore për promovimin e Shqipërisë në tregun turistik rus mbeten mungesa e një linje direkte ajrore me Rusinë, si edhe mungesa e madhe e informacionit objektiv dhe materialeve cilësore promocionale për vendin tuaj.
Teksa ky panair adreson problematikën e dytë, vendosja e një linje direkte duket ende e vështirë, por palët janë të interesuara për diçka të tillë.
Këtë vit, panairi përkon me vitin e turizmit “Rusi-Greqi” dhe ka një prezencë të shtuar të sipërmarrjeve greke në këtë fushë. Shqipëria mund të përfitojë pjesërisht në mënyrë indirekte, falë turistëve të huaj në Korfuz që zgjedhin të bëjnë vizita ditore në vendin tonë.
Pjesëmarrja e vendit tonë në Moskë vjen vetëm disa ditë pas prezantimit në Panairin e Berlinit. Në vijim Shqipëria do të përfaqësohet edhe në Panairin e Pekinit më 16-18 Prill dhe atë të Prishtinës në datat 19-20 prill.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.