Misteri i mpiksjeve të rralla të gjakut nga vaksinat Covid: Shkencëtarët zbulojnë arsyen!

Shkencëtarët besojnë se mund të kenë përgjigjen se pse disa vaksina kundër koronavirusit lidhen me raste jashtëzakonisht të rralla të mpiksjes së gjakut. Ekipi i shkencëtarëve të studimit të botuar në revistën ndërkombëtare Science Advances, mendon se ka gjetur një “mekanizëm molekular” pas mpiksjeve të lidhura me vaksinat e adenovirusit, të tilla si AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.
Një numër vendesh europiane ndaluan përdorimin e vaksinës AstraZeneca në fillim të këtij viti për shkak të raporteve për ngjarje të rralla të mpiksjes së gjakut, ndërsa në fillim të kësaj jave Sllovenia ndaloi përdorimin e Johnson & Johnson përgjithmonë pas vdekjes së një gruaje 20-vjeçare në shtator.
Një ekip studiuesish nga Universiteti Shtetëror i Arizonës dhe Universiteti i Kardifit thotë se gjendja e rrallë e mpiksjes së gjakut, e quajtur trombocitopenia trombotike imune e induktuar nga vaksina (VITT), “ndodh vetëm në raste jashtëzakonisht të rralla sepse duhet të ndodhin një zinxhir ngjarjesh komplekse për të shkaktuar këtë ultra efekt anësor të rrallë”.
Studimi shpjegon se shkaku i mpiksjes së gjakut VITT në raste jashtëzakonisht të rralla mund të jetë për shkak të adenovirusit të përdorur në vaksina, i cili mbart informacionin gjenetik në qeliza dhe përgjigjen imune ndaj kësaj. Ata besojnë se përdorimi i adenovirusit ChAdOx1 – i përdorur në vaksinën AstraZeneca për të dhënë informacion gjenetik në qeliza – mund të mbajë çelësin.
Ekipi supozoi se në raste të rralla adenovirusi mund të lidhet më pas me një proteinë të caktuar të quajtur faktori i trombociteve 4 (PF4), i cili shkakton një reagim imunitar. Ky reagim çon në lidhjen e antitrupave me proteinën, duke i bërë ato të grumbullohen dhe në raste jashtëzakonisht të rralla, të shkaktojnë VITT ose mpiksjen e gjakut. EN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.