Mjekësia e së ardhmes, specialitetet me potencialin më të madh
Hamendësohet se teknologjia do të zëvendësojë 80% të mjekëve në të ardhmen, por kësaj teze i kundërpërgjigjen edhe antiteza të tjera, pasi, më në fund, teknologjia do t’iu vijë në ndihmë mjekëve, për t’u përqendruar më shumë në atë çka i bën ata të mirë, siç është trajtimi i pacientëve dhe inovacioni, ndërsa, nga ana tjetër, automatizimi bën pjesën përsëritëse të punës. Në kohën kur çdo specialitet do të përfitojë nga shëndetësia digjitale, disa, kryesisht, do të lulëzojnë, për shkak të këtyre risive. Këtu do të listojmë disa nga fushat mjekësore, të cilat do të kenë mundësitë më të mëdha të zhvillimit në të ardhmen.
Inteligjenca artificiale, sensorët që vishen në trup, realiteti virtual dhe robotët mjekësorë po ndryshojnë thellësisht mënyrën e mendimit dhe veprimit të mjekësisë, si nga ana e mjekëve, ashtu edhe nga ajo e pacientëve. Një nga biznesmenët e mëdhenj, të listuar në “Forbes”, Vinod Khosla ka deklaruar se teknologjia mund të zëvendësojë rreth 80% të doktorëve në të ardhmen, për shkak se makineritë dhe pajisjet do të jenë më të sakta, më objektive dhe më të lira sesa një mjek i zakonshëm dhe, sipas tij, nuk do të ketë nevojë për mjekë në çdo situatë. Kjo tezë është hedhur poshtë nga disa të tjerë, pasi, kryesisht teknologjia, në shumë specialitete të mjekësisë, mund të jetë një ndihmë e shtuar për doktorët, që këta të fundit, të përqendrohen më shumë në kurimin e pacientëve dhe përsosjen e metodave të reja, ndërsa rutinë i lihet automatizimit. Mjekësia digjitale ka një ndikim shumë të madh në mënyrën se si punojnë mjekët në ditët e sotme dhe ka shumë rëndësi ajo se çka ne iu lejojmë atyre të bëjnë. Gjatë punës së tyre ka mjaft procese përsëritëse dhe monotone, shumica e të cilave është e mërzitshme për ta, ndërkohë që mjekësia digjitale mund ta bëjë atë më mirë, më shpejt dhe me më pak kosto. Këto procese, zakonisht, nuk përmbajnë pjesë krijuese, apo empatike.
Mjeku i përgjithshëm
Shumë doktorë e zgjedhin këtë specialitet në ditët e sotme, për të patur një ndikim afatgjatë në jetët e të tjerëve. Mjekët e përgjithshëm gëzojnë një besim të madh nga pacientët e tyre, por vizita e dikujt vetëm në momentin kur ai është i sëmurë e bën të vështirë parandalimin e sëmundjeve, si dhe sigurimin e mirëqenies së njerëzve. Më i vështirë ende është procesi kur dhomat e pritjes janë të mbipopulluara dhe ka vetëm disa minuta në dispozicion, për të diagnostikuar një sëmundje, për të hartuar një terapi, apo për të ofruar këshilla mjekësore.
Pajisjet elektronike me sensorë, që vishen në gjymtyrë dhe në trup transmetojnë të dhëna në kohë reale në celularët smart të mjekëve, duke i njoftuar ata se kur ka nevojë jetike për ndërhyrje. Ato do t’iu mundësojnë mjekëve, të trajtojnë vetëm ata që kanë vërtet nevojë për kujdes të profesionalizuar, duke bërë të mundur ofrimin e trajtimin dhe këshillimin e kontrolluar. Kjo do të rrisë kohën që kanë mjekët e përgjithshëm për të kuruar dhe për të këshilluar çdo pacient, duke ndërtuar besim dhe duke siguruar veprimin e pacientit, sipas këshillës së mjekut. Operatorët kompjuterikë mjekësorë mund të lehtësojnë barrën që kanë mjekët e përgjithshëm.
Në të ardhmen, pacientët mund t’i drejtohen asistentëve digjitalë, me pyetje më të thjeshta rreth shëndetit të tyre, për t’u interesuar rreth barnave të ndryshme, apo rreth çështjeve administrative. Shërbimi Kombëtar Mjekësor në Britaninë e Madhe ka vlerësuar potencialin e mundshëm të shërbimit të sekretarive kompjuterike, të quajtura “chatbot”. Është parashikuar të përdoret një aplikacion i tillë, për të ofruar këshilla mjekësore, në mënyrë që të lehtësohet barra e ndihmës, për këshillimet bazë mjekësore. Ky institucion ka zhvilluar një aplikacion, të quajtur “Babylon Health”, i cili shërben si pyetje-përgjigje ndaj mjekut. Disa programe kompjuterike, si “Health Tap”, apo “Your Md” synojnë të ndihmojnë pacientët, për të gjetur një zgjidhje për simptomat e zakonshme, nëpërmjet inteligjencës artificiale.
Pediatria
Ditët e sotme, mjekët pediatër kanë një kohë të kufizuar për të vendosur për gjendjen dhe shëndetin e një bebeje, ose të një nëne shtatzënë. Pajisjet elektronike që vishen në gjymtyrë, ose në trup, të cilat mbikëqyrin shenjat jetike të nënës dhe fëmijës, do të sigurojnë se, në rast urgjence, ofrimi i përkujdesjes nuk do të varet te fati i nënës. Edhe pse, nga këndvështrimi etik, kjo është një fushë shumë kontroverse, sekuenca gjenetike që vjen nga gjaku i nënës dhe modifikimi i gjeneve, me metoda, siç është “CRISPR” do t’iu japin mundësinë pediatërve, për të korriguar kushtet gjenetike, që në mitër. Kjo mund të çojë edhe në projektimin e foshnjave, si dhe të grumbullojë një sasi të madhe të dhënash, për të diagnostikuar dhe kuruar fëmijët.
Radiologjia
Algoritmet e thella dhe përmirësimi i funksionimit të inteligjencës artificiale janë futur në fushën mjekësore kohët e fundit, duke rritur shqetësimin e shumë radiologëve, pasi këta të fundit hamendësuan se inteligjenca artificiale mund të zinte vendin e tyre, shumë shpejt. Ideja është se inteligjenca artificiale nuk i cënon, por shton dimensionin e punës së tyre, si dhe i çliron ata nga shumë prej veprimeve monotone.
E ardhmja e radiologëve do të jetë më interesante, sesa kontrolli i qindra radiografive në një ditë. Për shembull: IBM-ja ka aktivizuar një algoritëm, të quajtur “Medical Sieve”, apo në shqip “Sita Mjekësore”, që ka aftësinë për të mbështetur në vendimmarrjen klinike në radiologji dhe kardiologji. Ai mund të skanojë qindra imazhe radiologjike, brenda disa sekondave dhe është në gjendje për të gjetur lehtësisht fenomenet malinje, në momentet kur radiologët përballen me raste të ndërlikuara dhe çështje të vështira. Nuk është larg nga momenti i bashkëpunimit të ngushtë, midis inteligjencës artificiale dhe radiologjisë në praktikat klinike. Në SHBA është miratuar përdorimi i algoritmit të thellë, të bazuar në teknologjinë “cloud”, për imazherinë kardiake.
Okulistika
Ky specialitet do të sjellë teknologjitë “sci-fi” te pacientët, në të ardhmen e afërt. Implantet retinore mund t’iu rikthejnë pamjen atyre që e kanë humbur, ose mund të garantojnë mbikëqyrje njerëzore, duke shtuar mundësitë. Lentet digjitale të kontaktit mund të shndërrojnë mënyrën se si ne dukemi në botë, duke revolucionarizuar disa fusha, siç mund të jetë kujdesi ndaj diabetit. “Google” ka bashkëpunuar me kompaninë “Novartis” për të prodhuar lentet digjitale, multi-sensor, të cilat janë projektuar për të matur edhe nivelin e sheqerit në gjak. Këto dy kompani kanë deklaruar se lentet do të përmbajnë një mikro-qark që, nëpërmjet antenës, do të dërgojë të dhëna rreth glukozës, nëpërmjet lotëve, duke i dërguar këto të dhëna te aplikacioni në celular.
Onkologjia
Onkologjia do të hapë rrugën për saktësimin e mjekimeve dhe trajtimeve të veçanta. Onkologët, aktualisht, modifikojnë terapitë e tyre, në bazë të gjenetikës dhe llojit të tumorit të pacientëve. Disa kompani janë duke zhvilluar biopsi fluide. Këto janë analiza gjaku, në gjendje për të identifikuar të gjithë llojet e tumorëve, që në faza fillestare. Duke qenë në gjendje për të filtruar qelizat tumorale nga kampionet e gjakut, mjekët, shumë shpejt, mund të diagnostikojnë dhe analizojnë tumorët, më parë dhe pa operacione të kushtueshme. “IBM”, “Google” dhe “Microsoft” janë duke ndërtuar zgjidhje të inteligjencës artificiale, për të projektuar kurime të personalizuara, për çdo lloj kanceri, apo pacienti, më shpejt se shërbimi i zakonshëm mjekësor.
Dermatologjia
Lëkura jonë funksionon si një pasqyrë për kalimin e kohës, sasinë e gjumit, apo të shenjave të stresit. Dermatologjia do të përdorë telemjekësinë për të parë nëse ka probleme me lëkurën. Celularët, nëpërmjet internetit mund të dërgojnë foto ose video, kudo, duke bërë kështu që problemi të njihet më shpejt. Pacientët mund të çojnë foto rreth skuqjeve, apo shenjave të tjera që mund t’i shqetësojnë, ndërkohë që dermatologët mund t’iu japin atyre këshilla mjekësore 24 orë.
Kjo është një situatë ku fitojnë të dyja palët, pasi pacientët nuk duhet të presin në radhë për të bërë një analizë, ndërsa dermatologët mund të përballen me raste më të lehta, në një kohë më të shkurtër. Kompania “IBM” ka zhvilluar testime dhe ka arritur në përfundimin se kompjuteri i zhvilluar nga ata, nëpërmjet sistemit të thellë të tij, ka qenë në gjendje për të diagnostikuar melanoma, me një saktësi 76%, në bazë të imazheve, ndërkohë që mesatarja për tetë dermatologë është vendosur në 70.5%. Ky është një rezultat shumë i mirë, pasi inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në diagnostikimin e kancerit të lëkurës, në të ardhmen.
Urgjenca dhe dronët-ambulancë
Ka situata kur koha është shumë thelbësore, si për shembull, në rastin e katastrofave, ose urgjencave mjekësore. Këto situata kërkojnë përgjigje urgjente, kështu që, çdo shpikje e re, që synon të ndihmojë këtë fushë duhet të shkurtojë kohën e kërkuar për të arritur në vendngjarje. Dronët mjekësorë janë parë si një mundësi e mirë për transportimin e barnave, vaksinave, apo ndihmave mjekësore, më shpejt. “Google” ka patentuar një pajisje, e cila mund të thërrasë një dron, në raste urgjencash, i cili do të fluturojë, bashkë me pajisjet mjekësore jetike në bord.
Ju mund të shtypni një buton dhe do të shfaqet një dron në horizont. Si mund të ishte ideja e dronëve, të cilët transportojnë defibrilatorë automatikë të jashtëm, drejtpërdrejt, te njerëzit, të cilët, sapo kanë pësuar një atak kardiak? Studiuesit në Universitetin e Torontos janë duke eksperimentuar me idenë, bazuar nga dronët-ambulancë në Holandë. Ambulancat me pilot automatik, gjithashtu, mund të jenë efektive, pasi ekipi mjekësor që ndodhet në to mund të përqendrohet tërësisht te pacienti.
Gastroenterologjia
Deri para pak kohësh ka qenë shumë e kufizuar të shihje brenda stomakut, apo në traktin gastrointestinal, por nano-teknologjia do të ndihmojë shumë në të ardhmen. Si do të ishte nëse mjekët do të kishin një mënyrë për të parë brenda traktit gastrointestinal, duke iu dhënë pacientëve për të gëlltitur një kamera të vogël, sa një pilulë? Kjo është e mundur, nëpërmjet kameras së quajtur “PillCam”. Më shumë se 1.5 milionë pacientë kanë përjetuar përfitimet e endoskopisë së kapsulës. Mjekët mund të shohin direkt ezofagun, duke përdorur një kapsulë të vogël, për të monitoruar dhe diagnostikuar çregullimet në traktin gastrointestinal, pa procedura invazive.
Kirurgjia
Kirurgjia do të bëhet më shumë e udhëhequr nga të dhënat, robotika dhe inteligjenca artificiale, në të ardhmen. Mjekësia digjitale ofron një bashkëpunim të shkëlqyer midis njerëzve dhe teknlogjisë, i cili mund të rrisë nivelin e saktësisë dhe efektshmërisë së operacioneve, në stade të papara më parë. Tashmë ekzistojnë shenja, se si teknologjitë po u bëjnë vend vetes në tavolinat e operacioneve. Parashikimet janë që, në vitin 2020, shitjet e robotëve që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale pritet të dyfishohen, në 6.4 miliardë dollarë.
Roboti më i njohur është “Da Vinci”, i cili është i pajisur me një sistem shikimi të lartë 3D, si dhe instrumentë të tjerë të përkulshëm, të cilët kryejnë lëvizje më të gjera dhe më të mëdha sesa dora e njeriut. Ndërhyrja kirurgjikale është 100% në kontroll të sistemit robotik. Jo vetëm robotika, por gjithashtu printimi 3D, realiteti i shtuar, apo ai virtual ndihmojnë ndërhyrjet kirurgjikale delikate, sidomos në fazën përgatitore. Në mars të vitit 2016, një ekip mjekësh në Kinë vendosën të ndërtonin një model të plotë të zemrës së një bebeje të vogël, të lindur me defekt. Në dhjetor të po atij viti, në Emiratet e Bashkuara Arabe, mjekët kanë përdorur një teknologji printimi 3D, për herë të parë, për të ndihmuar heqjen e një tumori kancerogjen nga veshka e një gruaje 42-vjeçare.
Renato Hysenllari/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.