Mjekët japin dorëheqjen nga këshilli Covid, për “mosveprimin” e qeverisë polake!

Më shumë se gjysma e mjekëve në këshillin mjekësor të kryeministrit polak për COVID-19 kanë dhënë dorëheqjen në shenjë proteste. Trembëdhjetë nga 17 anëtarët e këshillit u larguan të premten, duke akuzuar qeverinë e djathtë polake për mosveprim gjatë pandemisë.
Mjekët thanë se ata ishin të motivuar nga “mungesa e ndikimit të rekomandimeve në veprimin real”, sipas një deklarate të raportuar nga agjencia PAP. Letra fajësonte qeverinë e Polonisë për hezitimin dhe skepticizmin në rritje të vaksinave gjatë krizës shëndetësore.
Të martën, Polonia u bë kombi i fundit europian që regjistroi 100,000 vdekje të lidhura me COVID-19 mes një rritjeje të rasteve të Omicron.
Mjekët kanë fajësuar gjithashtu qeverinë e Polonisë për “veprim shumë të kufizuar përballë valës së vjeshtës … pavarësisht numrit të madh të vdekjeve që priten”. Dorëheqjet vijnë pas thirrjeve të shumta nga anëtarët e këshillit për kufizime më të forta ndaj pandemisë dhe një fushatë më aktive për vaksinimet.
Disa deputetë të lartë polakë kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre ndaj vaksinimeve, pavarësisht se rreth 21.3 milionë qytetarë në vend kanë marrë dy doza të një vaksine.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.