Mjetet lundruese gjatë verës – MIE: Masa lehtësuese për lëvizjen, por edhe detyrime
Me nisjen e sezonit turistik, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë një sërë masash për lehtësimin e procedurave të ankorimit dhe lëvizjes së mjeteve lundrues që përdoren nga pushuesit vendas e të huaj.
Ndërkohë që, paralelisht ka përcaktuar disa detyrime që këto mjete duhet të përmbushin, jo vetëm në ujërat detare, por edhe në lumenj apo liqene.
Referuar udhëzimit me datë 21 qershor, të Drejtorisë së Përgjithshme Detare të gjitha jahtet turistike do të bëjnë njoftim në hyrje vetëm në portin e parë që prekin dhe në portin e fundit përpara se të largohen nga ujërat e Shqipërisë.
Lëvizja e këtyre mjeteve lundruese brenda porteve dhe ujërave tona territoriale, një periudhë 1-mujore do të mjaftohet vetëm me njoftimin e Kapitenerisë së Portit përkatës, me përjashtim të rasteve kur nga drejtuesit e mjeteve lundruese kërkohet të kryhen shërbime të ndryshme portuale.
I njëjti dokument përcakton se leja e nisjes për anijet turistike për transport pasagjerësh do të bëhet 1 herë në javë nga Kapiteneria e Portit përkatës, ndërsa inspektorët e kalatave do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme në këto mjete lundruese para nisjes dhe mbërritjet në port.
Ndërkaq, përveç këtyre lehtësive, Drejtoria Detare kërkon që anijet e pasagjerëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në ujërat e brendshme, siç janë lumenjtë apo liqenet, brenda datës 01.07.2018 të pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm për kryerjen e këtij aktiviteti, pasi mosplotësimi i tij do të sjellë bllokimin e aktivitetit.
Me herët, ky dikaster ka përcaktuar edhe ekuipazhin dhe kualifikimet që duhet të përmbushin mjetet lundruese pasagjere me flamur shqiptar nën 42 m, që kryejnë udhëtime bregdetare brenda 25 miljeve detare, me pikë nisje dhe mbërritje një port të Shqipërisë.
Këto mjete duhet të kenë minimalisht një kapiten të diplomuar në navigacion, një detar kuverte dhe një punëtor shërbimi.
Po ashtu këto mjete, përfshirë dhe anijet e drurit me peshë nën 300 ton duhet të instalojnë dhe të mbajnë gjatë gjithë kohës në punë Sistemin Automatik të Identifikimit.
Sipas ministrisë, këto masa synojnë nxitjen e turizmit gjatë muajve të verës.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.