MK hap fondin për mbështetjen e krijimtarisë letrare për 2017. Si mund të aplikoni dhe kërkesat që duhen përmbushur

Hapet për herë të dytë fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare shqiptare për vitin 2017. Ky fond i cili vjen në zbatim të politikës së Ministrisë së Kulturës dhe ka për qëllim të mbështesë autorin shqiptar, si një nga përparësitë politike të këtij dikasteri në fushën e librit.
“Suksesi i edicionit të parë të këtij projekti ku u përzgjodhën autorë dhe vepra të rëndësishme, të vlerësuara më pas edhe nga kritika letrare, si “Homo Antarcticus” e Luljeta Lleshanakut apo “Mjaltë në teh” e Romeo Çollakut, e shumë të tjerë, jep garanci për një proces të drejtë dhe transparent në ndihmesë të letrave shqipe. Këtë vit Ministria e Kulturës do t’u japë përparësi krijuesve të rinj, deri 35 vjeç, duke marrë parasysh vështirësitë që ata hapin për t’u evidentuar dhe promovuar në fushën e letrave”, thuhet në njoftimin e MK-së
Të dhënat për shpalljen e thirrjes
Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare (FMKL) do të nxisë dhe mbështesë financiarisht procesin krijues të autorëve të letërsisë së sotme shqipe.
Ministria e Kulturës ka përcaktuar si prioritet këtë vit mbështetjen e procesit krijues të autorëve të rinj, deri në moshën 35 vjeçare. Thirrja është e hapur për të gjithë krijuesit e poezisë dhe prozës nga mosha 18 deri në 35 vjeç (lindur nga 1 Janari 1982). Aplikimi kryhet nga botuesi, i pajisur me një licencë botimi, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor. Financimi për mbështetjen e procesit krijues të veprës do të mundësohet nga Ministria e Kulturës dhe i shkon drejtpërdrejt autorit. Aplikimi fillon më datën 5 qershor dhe përfundon në datën 14 korrik 2017. Shpallja e fituesve do të bëhet më 30 korrik. Pas miratimit për mbështetje financiare të krijimtarisë letrare, Ministria e Kulturës nënshkruan një marrëveshje tripalëshe me autorin e kësaj vepre dhe botuesin.
Kostoja që mbulon Ministria e Kulturës
Fondi i mbështetjes së procesit krijues që ka krijuar Ministria e Kulturës arrin deri në vlerën 1 milionë lekë për vitin 2017 dhe mbështet procesin krijues të autorëve të rinj të letërsisë shqipe nga mosha 18 deri në 35 vjeç (lindur nga 1 Janari 1982).
-Autori do të paguhet me shumën totale prej 150.000 lekë.
Aplikimi
Në aplikim të përfshihen edhe kërkesat e mëposhtme (të detyrueshme):
– Draft i projektit të librit në proces, 50 faqe për librin në prozë dhe 10 poezi për librin me poezi;
Synops për veprën në prozë;
Kontratë e lidhur mes autorit dhe botuesit;
Katalog botimesh (shtëpia botuese);
Udhëzues për aplikantin
Drafti i veprës në proces do të shqyrtohet nga një juri me ekspertë të fushës.
Në fazën e dytë, fituesit dorëzojnë në Ministrinë e Kulturës brenda 1 nëntorit 2017, draftin e zhvilluar i veprës në proces, (rreth 150 faqe prozë dhe 30 poezi).
Autori angazhohet për përfundimin e veprës brenda vitit nga data e lidhjes së kontratës për mbështetjen financiare.
Formulari që autori duhet të plotësojë dhe të dorëzojë duhet të përmbajë:
Aplikuesi (shtëpia botuese) : Kontakti; Adresa e plotë; Telefon; Faks; E-mail; Autori; CV (e autorit); Adresa; Tel / Cel,
Drafti i veprës në proces:
50 faqe për vepër në prozë; 10 poezi për vepër në poezi; Synops për veprën në prozë; Statusi i botimit të veprës; Tirazhi i botimit; Çmimi për kopje; Afati i parashikuar për botimin në shqip. Për informacione të mëtejshme mund të shkruani në adresën elektronike: [email protected]
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.