Moda e Kampingut në Shqipëri, dhjetëra pika në të gjithë vendin – Në rritje edhe shitjet e çadrave
Pushimet me çadra po kthehen gjithmonë e më popullore në Shqipëri, teksa ka marrë vëmendje shtimi i pikave që ofrojnë kamping, si edhe shitjet e çadrave dhe mjeteve të tjera të lidhura me to.
Nga bregdeti Adriatik në Velipojë, deri në Jon në Ksamil, listohen rreth 32 pika kampingu, ndërsa 24 të tjera ndodhet në Shqipërinë Veriore, zonën Tiranë-Elbasan, Berat, Pogradec, apo në zonën Gjirokastër-Përmet-Leskovik.
Krahas këtyre 56 pikave, një numër i madh kampingjesh provizore organizohen në pjesë të ndryshme të vendit përgjatë gjithë vitit.
Të preferuari më së shumti nga të rinjtë dhe të huaj, kampingjet shihen si një mënyrë ideale për të pushuar për fundjavën apo për disa ditë, duke reduktuar ndjeshëm shpenzimet e fjetjes. Çmimet për natë variojnë nga 500 lekë deri në 3 mijë lekë në varësi të kushteve që ofron kampingu, faktit nëse përfshin edhe mëngjesin apo vakte të tjera, aktivitetet e ndryshme, etj.
Ndikim në popullarizimin e kampingjeve kanë pasur edhe forcat politike, të cilat shpesh organizojnë ekskursione gjatë periudhës së verës.
Interesi në rritje shfaqet edhe në të dhënat e tregtisë, ku importet e pajisjeve të nevojshme janë rritur vit pas viti. Në 2017, Shqipëria importoi 1.26 milionë euro çadra kampingu, në rritje me 50% krahasuar me një vit më parë. Ky trend po vijon edhe gjatë këtij viti, ndërsa vendet kryesore të origjinës janë Italia, Greqia, Bosnje Hercegovina, Turqia dhe Kina, ky këto dy të fundit kanë shfaqur rritjen më të madhe nga viti në vit.
Në rritje regjistrohen edhe importet e çantave të fjetjes, të cilat lehtësojnë pikërisht fjetjen në çadra, megjithëse në vlera modeste. Po ashtu, edhe zgarat e vogla, perfektë për të pjekur në natyrë shfaqin një rritje importesh.
Interesi ka detyruar edhe portalet shqiptare që shesin online të listojnë këto mallra, për të cilat ato deklarojnë për SCAN se ka pasur shumë interes dhe shitje.
Online dhe në supermarkete e tregje, çmimi i këtyre tendave nis nga 1 mijë lekë për ato të vogla për një person, 2 mijë lekë për çadrat në përmasa të përshtatshme për dy veta, e në rritje në varësi të madhësisë, materialit dhe opsioneve që ato ofrojnë .
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.