Modernizimi i asistencës sociale – Shtyhet me një vit programi prej 38 milionë euro
Shtyhet me një vit programi për “modernizimin e asistencës sociale”, një program i financuar përmes një huaje prej 38 milion eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Propozimi për shtyrje deri më 31 dhjetor të vitit të ardhshëm është bërë nga zëvendësministrja e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale Bardhylka Kospiri në komisionin e ekonomisë, kjo për arsye të zgjatjes së fazës përgatitore për implementimin e programit.
Kjo vonesë është kundërshtuar nga opozita. Deputetja e PD Jorida Tabaku e ka cilësuar të qëllimshme nga ana e ministrisë duke nënvizuar se kjo vonesë sjell kosto. Ndërkohë, deputeti Edmond Spaho ka propozuar përfshirjen në skemë të familjeve më fëmijë autik.
Programi për “modernizimin e asistencës sociale” është aplikuar vetëm në 3 rajone në Tiranë, Elbasan dhe Durrës ndërkohë që ishin parashikuar 9. Ky program ka nisur që në vitin 2012 dhe pritej të përfundonte në 30 qershor të këtij viti.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.