Modernizimi i sistemit arsimor – Shtyhet afati i përdorimit të kredisë prej 3,5 milionë euro

Komisioni i medias ka votuar shtyrjen e afatit për përdorimin e kredisë për eksport lidhur me modernizimin e sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet e-edukimit, ndërkohë vlera e kredisë e cila kap shifrën prej 3 500 000 eurosh mbetet e pandryshuar.
Ndryshimi i marrëveshjes së kredisë u bë me kërkesë të institucioneve që kanë lidhur këtë marrëveshje, midis Ministrisë së Financave dhe UniCredit Bank Austria AG për mosrealizim në kohë të komponentit Hardwere shtesë për shkollat me vlerë 1 milion euro
Projektit “Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet e-Edukimit”, realizuar nga kompania austriake BIT Media e-Learning Solution ofron 3 module: Portali Qendror i Arsimit, Platforma E-Learning për ICT Skills dhe gjuhën angleze si edhe Platforma E-Learning për lëndët me Authoring.
Komisioni i Medias ratifikoi edhe marrëveshjen me shkëmbim notash, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, për bashkëpunim teknik për projektin “Fondi për studime dhe ekspertë”, që konsiston në ndihmën e qeverisë gjermane në konceptimin e projekteve të reja, me një grand prej 800 000 eurosh.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.