“Mollët e pandalueme” të Dibrës / Sipërmarrësit që investohen larg kryeqytetit!
Kop-Frut Dibër merret me grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e frutave. Të dy ortakët, që prej 2012, kanë forcuar traditen dibrane të kultivimit të pemëve frutore.
Përpunimi donte shumë investim edhe ne gjetëm partneritet me Credins Bank. Ka qenë ndihmesë e madhe sepse në fillimet tona për shkak të situatës fianciare investimi do të kishte qenë i pamundur. Nuk do ja kishim arritur po të mos kishim patur partneritetin me Credins.
Mollët e dorës së tretë, ato estetikisht jo të bukura, i kanë gjithsesi vlerat ushqyese, paçka se nuk nxirren në treg. Këto mollë lahen, kalojnë në procesin e shtrydhjes, lëngu kullohet. Kështu prodhohet lëng dhe uthull 100 natyrale, pa asnjë lloj konservanti, rregullatori shijesh apo sheqerna.
Në Dibër gjen histori të jashtëzakonshme sipërmarrje që mbartin origjinalitet, mund e djersë, pasion e dashuri. Histori pas së cilave fshihen “heronj” të cilët zgjodhën të investojnë aty ku kanë rrënjët dhe që përcjellin në të gjithë Shqipërinë jo vetëm vlerat e prodhimeve dhe produkteve të veta, por bashkë me to dhe vlerat e një qyteti të tërë. “Shqiponja” të cilat pasi fluturojnë, marrin eksperiencën e duhur, kthehen dhe bekimet e natyrës i shfrytëzojnë për të çuar përpara jetën dhe ekonominë e vendit.
Namik Shehi dhe Veip Salkurti janë dy emra të njohur për Dibrën, të cilët kanë një nga sipërmarrjet më të suksesshme në fushën e agrobiznesit. Kop-Frut Dibër merret me grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e frutave. Të dy ortakët, që prej 2012, kanë forcuar traditen dibrane te kultivimit te pemëve frutore.
“Historia ime është e gjatë që nuk mund të tregohet me dy fjalë por historia e këtij lloj aktiviteti që kemi nisur ne, shkaku kryesor është ortaku sepse ka qenë më shumë i apasionuar pas frutikulturës dhe bujqësisë ne përgjithësi dhe duke qenë se ka marrë pjesë nëpër udhëtime me shoqata, ka parë në Francë eksperienca dhe në Itali dhe ka investuar fillimisht vetëm në bujqësi me bagëti, janxhe, ushqim për bagëti, më vonë e pa se pemëtaria është një aktivitet që mund të sjellë më shumë të ardhura dhe ndryshoi nga bujqësi e blegtori në pemtari. Ai e ka filluar aktivitetin që përpara vitit 2000 ndërsa une jam futur në 2012 me pemtarinë” thotë Namiku.
Ky investim ishte një nevojë shtatë vite më parë dhe është ende për shumë e shumë fermerë. Mollët e famshme të Dibrës janë cilësuar shpesh si “Mollët e Ndalume”, për shkak të infrastrukturës së vështirë të Dibrës, mbiprodhimit apo importit nga jashtë vendit. “Ortaku pati bërë shumë investime në pemtari dhe ishte e nevojshme të zgjeronim punën, duhej një mbështetje si financiare ashtu dhe njerëzore sepse dot vetëm si bënte dot të gjitha dhe ideja ishte e përbashkët për të bërë një bashkëpunim për të kompletuatr procesin. Dibra duke qenë vend shume i largët me infrastrukture, prodhimi ngelej pa shitur dhe të mos shkonte dëm se kishte goxha prodhim i cili ishte shumë cilësor por për shkak të rrugës, p.sh qershia do që brenda ditës të vilet dhe të dërgohet në treg” shton Namiku.
Zgjidhja e financimit
Namiku Dhe Veipi kanë futur në treg një produkt natyral dhe cilësor, kanë ofruar vende të reja pune në Peshkopi e mbi të gjitha, kanë treguar se si bashkëpunimet janë çelësi i suksesit. “Fillimi ka qënë jo i vështirë por jashtëzakonisht i vështirë sepse ishim në një terren që nuk ekzistonte eksperienca domethënë nuk ishte një punë që e kishte bërë dikush më parë dhe me pak fjalë gjithçka nga e para. Në çdolloj sipërmjarrje gjithmonë vështirësi ka se nuk është asgjë e prerë me thikë.
Në fillim ne ndërtuam dhomat frigoriferike mirëpo ideja ishte përpunimi sepse problemi ishte me sasinë e madhe të mollëve që nuk ishin për treg dhe përpunimi donte goxha investim edhe ne gjetëm partneritet me Credins Bank dhe i falenderojmë për besueshmërinë që na dhanë. ka qënë goxha ndihmesë sepse në filllimet tona dhe akoma vazhdon të jetë gjendja fianciare dhe për një vendim kaq të madh s’do kishte qenë e mundur po të mos kishim pas partneritetin me Credins” nënvizon Namiku.
Ju mund të kishit bërë partneritet me bankën Credins duke shkuar në një vend tjetër si përshembull duke shkuar në Tiranë. Pse vendosët të rrinit në Dibër? “Unë kam qenë 10 vite në Itali dhe jam kthyer në Dibër se nga këtu jam dhe këtu e shoh veten më mirë dhe shoh më shumë mundësi sepse në Tiranë p.sh ndoshta bëhet rrushi, por rrëzë Korabit nuk është si rrëzë Dajtit, lartësia, ajri, kushtet klimatike, nuk është dicka që e bën dot. Ta blesh me lekë ajrin dhe ta bësh ajrin më të mirë, mikroklima është shumë e rëndësishmë për prodhim pemësh, molla, qershia, arra, dardha. Dibra ka histori shumë të gjatë me prodhimet dhe prodhimet e Dibrës gjithmonë kanë qenë të preferuara dhe të kërkuara nga konsumatori” përgjigjet Namiku. Rrëzë Korabit, nuk është njësoj si rrëzë Dajtit, thotë Namiku. E me të drejtë, secili vend ka atributet e veta, e nga secili duhet të nxjerrim më të mirën, pa lënë as edhe një resurs të shkojë dëm. Si Eliksir… Mollët e dorës së tretë, ato estetikisht jo të bukura, i kanë gjithsesi vlerat ushqyese, paçka që nuk nxirren në treg pasi nuk janë të preferuara nga blerësit. Nëpërmjet makinerisë, mollët lahen, kalojnë në procesin e shtrydhjes, lëngu kullohet, mbeturinat dalin jashtë, lëngu i filtruar pasterizohet, e në fund kalon në procesin e paketimit.
“Ne prodhojmë lëngun dhe uthullën 100 natyralë pa asnjë lloj konservanti, rregullatori shijesh apo sheqerna. P.sh molla, jemi kujdesur që lëngu të ketë 80 – 85 % të një fruti të freskët. Emrin ja kemi vendosur për ta përshtatur sepse unë mendoj që eshtë një diçka e shëndetshme për trupin e njeriut. Kur vjen puna për tek ilaçet, shkojnë e blejnë gjëra të shtrenjtë, por njeriu duhet të kujdeset për veten përpara se të shkojë tek ilaçi dhe tek doktori” thekson Namiku.
Larmi varietetesh
Kur e pyet për llojet e mollëve që kultivohen dhe për vlerat e secilës prej tyre Namiku thotë se “Varietetet që preferohen më shumë janë “Goldi” dhe molla jeshile. Tani është si variatet shumë i preferuar dhe “Fuji” që nuk njihet shumë, poë kanë filluar e kërkojnë shumë. “Fuji” është një variatet që ka hyrë tani vonë në Shqipëri, nuk është se ka qënë kultivuar më përpara po bëhet shumë i mirë, i shijshëm dhe rezistent. Është dhe një tjetër variatet i ri që është “Pink Lady” dhe e kemi eksperimentuar sepse “Pink Lady” do ditë më shumë për t’u bërë, për të arritur ngjyrën. Në Dibër bëhet shumë mirë dhe pink lady është variatet që kushton dhe shtrenjtë dhe tregu ka shumë kërkesë, mirëpo është e certifikuar vetem nga Franca dhe Italia dhe nuk lejohet ta nxjerrësh jashtë vendi dhe sikur ta mbjellësh në Shqipëri, nesër pasnesër nuk e eksporton dot po nuk e more nëpërmjet atyre ne bazë të ligjeve dhe rregullave” përgjigjet Namiku. Pyetjes se si konsumatorët mund të arrijnë të zgjedhin nnë larminë e llojeve të mollëve ai i përgjigjet: “Ky është një problem i të gjithë konsumatorëve sepse siç thashë dhe më parë që marrim më shumë nga prodhimi jashtë vendi për arsye sigurie”.
Tregu në zgjerim
“Ne e tregtojmë mallin me një emër dhe duke e nxjerrë me emër ke dhe anët pozitive dhe negative. Nëqoftëse përflitet se ka mbetje, po na helmojnë, nëse ka emer ti mban dhe fitimin dhe dëmin që bën dhe duke dalë në treg të gjithë bëhen në përgjithësi “ Prodhimi shqiptar nuk bën!”. Mungesa e emrit, lejon të bëjnë pergjithësime të gjithë sepse po të ketë emër, që prodhuesi është ky person, ti je i garantuar sepse nëse ke bërë një punim të mirë herët apo vonë do ta marrësh përfitimin. Njerëzit ndoshta në fillim janë mosbesues sepse të gjithë tek ushqimi kërkojnë të marrin diçka të shëndetshme dhe të mos jetë i dëmshëm” thotë Namiku. Eliksiri është përhapur pak e nga pak duke lënë shijen e ëmbël të një pune të mirë e cila shpërblehet dhe duke sjellë version modern të thënies së vjetër popullore “bashkimi bën fuqinë” “Dërgesat tona janë kryesisht në Tiranë, tani kemi filluar të shtrihemi edhe në Elbasan, Durrës, Shkodër, në të gjitha qytetet e tjera” thotë Namiku. Kop–frut nuk është sipërmarrja e vetme në Dibër që i ka dhënë jetë ekonomisë së vendit dhe ka çuar përpara traditën dibrane, por është një nga më të bukurat dhe më frymëzueset. Një nga ato që të bën të besosh se kudo që të ndodhesh, kundrejt çdo vështirësie, me bashkëpunimin dhe vullnetin e duhur,ti mund të ja dalësh!
Jenida Vladi / SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.