Monedha virtuale – BSH paralajmëron për rreziqet e BITCOIN
Banka e Shqipërisë paralajmëroi të enjten publikun shqiptar për rrezikun e investimit në monedhën virtuale BITCOIN. Në një deklaratë, Banka e Shqipërisë sqaron se kuadri ligjor në fuqi nuk e parashikon përdorimin dhe tregtimin e monedhave virtuale dhe, rrjedhimisht, në Shqipëri nuk mund të ketë subjekte të licencuara për aktivitete të këtij lloji.
Në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, për Bankën e Shqipërisë, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e lartë rreziku, pa garanci për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Banka e Shqipërisë sjell në vëmendje se investimi në monedha virtuale bart rreziqe të shumta, të natyrave të ndryshme.
Vlera e monedhave virtuale të tregtuara apo investuara në platformat përkatëse të këmbimit është e paqëndrueshme dhe e pa garantuar. Tregtimi mund të manipulohet duke bërë që investuesi të përballet me një humbje të mëdha. Këmbyesit e parasë virtuale janë shoqëri të panjohura, të parregulluara apo regjistruara në një juridiksion të caktuar.
Kushdo që investon paratë e tij në monedhë virtuale, do të përballet me rrezikun e humbjes së tyre, si rrjedhojë e mashtrimeve apo e problemeve të natyrave të ndryshme që shoqëritë mund të shfaqin. Platformat janë vetëm virtuale dhe mjaft të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike, çka mund të sjellë humbjen e plotë të investimit, pa asnjë mundësi rikuperimi. Investimi në këto monedha është anonim dhe mund të përdoret nga individë të caktuar edhe për të mundësuar aktivitete të jashtëligjshme. Një shqetësim më vete është edhe keqpërdorimi i të dhënave personale.
Regjistrimi në këto platforma kërkon identifikim përmes të dhënave personale, madje edhe biometrike. Duke qenë se platformat nuk janë subjekt i ligjeve dhe rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale, nuk ka asnjë garanci që këto kredenciale do të administrohen në mënyrë të sigurt për të shmangur vjedhjen apo keqpërdorimin e tyre.
Për shkak të rreziqeve të larta, Banka e Shqipërisë i bën apel publikut që të shmangë investimin në monedhë virtuale dhe t’i orientojë ato drejt produkteve dhe instrumenteve financiare të ofruara nga institucione të licencuara dhe të mbikëqyrura.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.