Monedhat po diktohen nga deklaratat – Fokusi do të vendoset te reforma tatimore dhe tregtia

Zyrtarët amerikanë krijuan një “stuhi” mbi dollarin amerikan, me komentet e bëra në Davos. Por shqetësimi më i madh është fakti se, në të ardhmen ecuria e monedhës mund të përcaktohet nga ato që do të thonë zyrtarët dhe jo nga ato që do të bëjnë.
Gjithsesi, strategët shprehen se, pavarësisht rënies së dollarit amerikan, tashmë fokusi do të vendoset te reforma tatimore dhe nëse administrata Trump do të vendosë marrëveshje të ndershme tregtare, pa shkaktuar luftëra tregtare dhe luhatshmëri të monedhës.
Indeksi që mat dollarin amerikan ka pasur tendencë në rënie, gjatë vitit 2017, duke sfiduar parashikimet për shtrëngimin e politikës monetare nga Rezerva Federale. Por, e kundërta ndodhi dhe dollari u dobësua, pasi flukset në euro dhe në jen u rritën ndjeshëm, pasi ekonomitë respektive u përmirësuan dhe bankierët qendrorë në Eurozonë dhe Japoni përgatitën tregjet për largimin nga politikat monetare lehtësuese.
Gjatë forumit ekonomik të Davosit, sekretari amerikan i Thesarit deklaroi se, një dollar i dobët është i mirë për tregtinë amerikane. Po në të njëjtën ditë, presidenti amerikan shprehu komplet të kundërtën, duke thënë se dëshiron një dollar të fortë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.