“Moneyval” publikon raportin për Shqipërinë – “Progres kundër financimit të terrorizmit, mangësi ligjore dhe mbikqyrëse me kriptovalutat”
Komiteti i ekspertëve për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, i Këshillit të Europës, i njohur ndryshe si “Moneyval” ka publikuar raportin e dytë vijues për Shqipërinë, sa i përket progresit në këto dy fusha dhe përmbushjes ose jo të 40 kritereve. “Moneyval” përbëhet nga 47 vende anëtare, mes të cilave edhe Shqipëria. Në linja të përgjithshme, raporti i “Moneyval” nuk evidenton progres të rëndësishëm në drejtim të luftës ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, krahasuar me raportin e kaluar. Në total janë 40 kritere të vlerësuar të cilat marrin një vlerësim sa i përket përputhshmërisë së tyre, nga “jo e përputhshme”, në “pjesërisht të përputhshme”, “kryesisht të përputhshme” dhe “të përputhshme”. Po të shohim këto 40 kritere, vëmë re se vetëm në 2 prej tyre ka rivlerësime sa i përket raportit të kaluar. I pari është rekomandimi numër 7, i cili është rivlerësuar pozitivisht, nga jo i përputhshëm në pjesërisht të përputhshëm. Ky kriter i referohet sanksioneve financiare kundër terrorizmit dhe financimit të terrorizmit.
Rekomandimi tjetër i rivlerësuar nga “Moneyval” në raportin e dytë vijues për Shqipërinë është ai numër 15, që i referohet teknologjive të reja, dhe veçanërisht aseteve virutale, kryesisht kriptovalutave. Ky rekomandim është zhvlerësuar nga kryesisht i përputhshëm, në pjesërisht i përputhshëm. Zhvlerësimi vjen si pasojë e mungesave në legjislacion dhe shtimit të kritereveve të reja nga “Moneyval” në këtë rekomandim, (kritetret 15.3-15.11). Me kriteret e reja, autoriteteve i`u kërkohet të identifikojnë dhe vlerësojnë rrezikun që vjen nga teknologjitë e reja, kryesisht kriptovalutat e mëdha, si Bitcoin, Ethereum, etj, në drejtim të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit. Shtimi i kërkesave të reja, në linjë me kërkesat e kohës dhe investimeve në drejtim të këtyre lloj aseteve, duket se nuk është ndjekur nga autoritetet sa i përket kuadrit legjislativ. Një tjetër arsye që ka çuar në këtë zhvlerësim në këtë pikë është edhe paqartësia në ndarjen e përgjegjësive mbikqyrëse sa i përket teknologjive të reja.
Sa i përket rekomandimeve të tjera, nuk ka rivlerësim krahasuar me raportin e mëparshëm. “Në terma të pëgjithshëm, Shqipëria ka bërë disa progrese në adresimin e mangësive të identifikuara në raundin e 50-ë të raportit të rivlerësimit dhe është rivlerësuar në rekomandimin numër 7. Masat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare ne respekt të aseteve virtuale nuk janë mjaftueshëm në përputhje me kriteret e rishikuara të rekomandimit numër 15, dhe për këtë arsye ka ardhur dhe zhvlerësimi në këtë pikë. Hapa të kufizuara janë ndërmarrë për të përmirësuar përputhshmërinë e rekomandimeve të tjera, por hendeqet mbeten. Shqipëria inkurajohet të vazhdojë përpjekjet e saj për të adresuar mangësitë e mbetura”-nënvizon në përfundimet e saj, raporti i Këshillit të Europës, nëpërmjet “Moneyval”.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.