Monitorimi i fushatës zgjedhore, KQZ: Do të emërohen 24 auditë kontabël

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të emëroj 24 auditë kontabël për të kontrolluar dhe monitoruar fushatën zgjedhore të partive politike. Në një deklaratë për media KQZ tha se emërimi do të bëhet pasi Ministria e Financave të akordojë fondin shtesë të kërkuar.
“Gjithashtu, KQZ i ka kërkuar Ministrisë së Financave fond shtesë për të implementuar ndryshimet e fundit ligjore për të bërë të mundur monitorimin e fushatës për zgjedhjet e datës 25 qershor 2017. Ndërkohë, pas shpalljes publike të KQZ-së në media, deri tani kanë shprehur vullnetin e tyre 24 auditë teknicien. Menjëherë sapo Ministria e Financave të akordojë fondin e kërkuar, KQZ do të emërojë auditët kontabël, të cilët do të fillojnë kontrollin dhe monitorimin e fushatës zgjedhore të partive politike”, deklaroi zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxha.
“Në kuadër të këtyre ndryshimeve ligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një kohë rekord, nxori të gjithë aktet nënligjore të cilat do të mundësojnë zbatimin e ligjit për monitorimin e fushatës zgjedhore”, shtoi Hoxha.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.