Monopol në tregun e gazit? – Autoriteti i Konkurrencës hap hetim të thelluar
Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim të thelluar për tregun e importit dhe shitjes me shumicë të gazit të lëngshëm të naftës.
Pas monitorimit të tregut dhe hetimit paraprak, Komisioni i Konkurrencës ka vlerësuar se ekzistojnë dyshime për kufizim të konkurrencës në nivel importi dhe shumice. Në veçanti, ndërmarrjet “A&V Gas” dhe “Kevin Gas” zotërojnë së bashku rreth 73% të tregut, të ndarë në pjesë pothuajse të barabarta.
Sipas hetimit paraprak, këto dy ndërmarrje shfaqin një sjellje të bashkërenduar për sa i përket çmimit të shitjes me shumicë të gazit.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, mesatarja e diferencës çmim blerje – çmim shitje për periudhën objekt hetimi është shumë e ngushtë dhe thuajse simetrike, çka mund të jetë provë për një marrëveshje të ndaluar midis këtyre dy ndërmarrjeve.
Një element tjetër është se në të gjithë strukturën e funksionimit të tregut të ngarkim shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të gazit nga zona e Porto Romanos ka ndërmarrje të integruara vertikalisht, faktor që rrit fuqinë e këtyre ndërmarrjeve dhe mund të çojë në kufizime të konkurrencës.
Integrim vertikal do të thotë që të njëjtat firma apo aksionerë të tyre veprojnë në nivele të ndryshme të tregut.
Hetimi i thelluar do të përfshijë gjithsej 9 ndërmarrje në nivelet e importit dhe tregtimit me shumicë të gazit të lëngshëm, për periudhën maj 2015- shkurt 2017.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.