Moody`s kërcënon Britaninë – “Paraliza e Brexit po tejzgjatet, do ulim notën e borxhit sovran”
Gjiganti i vlerësimit të kreditit, Moody`s paralajmëroi ditën e Premte se mund të ulë notën e borxhit sovran të Mbretërisë së Bashkuar, duke shtuar se asnjë nga partitë kryesore politike të cilat do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme duket të ketë uljen e borxhit të lartë ndër prioritetet e saj.
“Do të ishte optimiste po të merrnim si të mirëqenë se politika e mëparshme kohesive do të rikthehet në Britani menjëherë sapo Brexit të mos jetë më çështja e ditës”-thuhet në njoftimin e Moody`s, çka do të thotë se paralizimi i vendit me Brexit po zgjat më shumë se duhet, duke shkaktuar dëme serioze në disa prej aspekteve kyçe të ekonomisë së vendit, siç janë nivelet e borxhit.
Sipas Moody`s 2.3 trilionë dollarët e borxhit publik të Britanisë së Madhe, që janë më shumë se 80% e PBB-së së vendit, rrezikojnë të fryhen edhe më shumë, çka bën që ekonomia të jetë më vulnerabël ndaj tronditjeve në të ardhmen.
Të dy partitë kryesore politike kanë premtuar në fushatë rritje të shpenzimeve, gjë që përbën kërcënim për financat publike, sipas agjencisë.
Në vitin 2013 dhe 2017 Moody`s ka zhvlerësuar notën e Britanisë dhe kërcënon ta bëjë sërish, duke e zbritur atë në Aa2 me perspektivë negative, nga e qëndrueshme që është aktualisht, e që përkthehet në një ulje tjetër më vonë.
Muajin e kaluar edhe Standard and Poor`s paralajmëroi një ulje të notës. Ulja e notës së borxhit sovran të një vendi përkthehet në kosto më të larta huamarrje.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.