Moody`s njofton deklasimin e Italisë – Qeveria e re, nisin procedurat për uljen e notës së borxhit sovran
Goditja e rëndë që mori bursa italiane dhe titujt e shtetit rrezikon të përsëritet edhe të Hënën, sesionin e parë të javës që vjen. Kjo për arsye se, agjencia e vlerësimit të kreditit, Moody`s ka lajmëruar se ka nisur procedurat e rishikimit të borxhit sovran të vendit, që aktualisht mban notën Baa2. Kjo notë mund të rishikohet njofton gjiganti i vlerësimit, që asnjëherë nuk ka pasur një marrëdhënie të mirë me Italinë.
Tashmë, vendi që nuk po di të dalë dot më nga kriza rrezikon të zhytet edhe më tej, për shkak të deklasimit që mund të vijë nga Moody`s. Kriza politike në vend dhe zgjedhja e një qeverie tërësisht populiste e vështirësojnë edhe më tej rrugëtimin e Italisë drejt rimëkëmbjes. Italia është i vetmi vend në Europë që ka një notë kaq të ulët të borxhit sovran, Baa2, vetëm dy nota mbi nivelin mbeturinë, duke mos llogaritur Greqinë që ka një vlerësim në mbeturinë dhe Portugalinë.
Një deklasim në një nivel të tillë sjell automatikisht përjashtimin e vendit nga programi i blerjes së titujve nga Banka Qendrore Europiane. Moody`s deklaroi se, procedurat për deklasimin e borxhit sovran të Italisë janë nisur për dy arsye: 1. Rrezikun konkret të dobësimit të mëtejshëm të llogarive publike si pasojë e planit të njoftuar të qeverisë së re për shpenzimet. 2. Rrezikun e ngecjes së reformave aktuale e sidomos atë të pensioneve, pra, që të dyja këto lidhen drejtpërdrejtë me qeverinë e re.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.