Moody’s paralajmëron Britaninë – Pasiguria prej zgjedhjeve kërcënon profilin e kreditit të vendit
Pasiguria e krijuar prej zgjedhjeve në Mbretërinë e Bashkuar, që i ka hapur rrugën një Qeverie pa shumicën e duhur për të parën herë në dy dekada, përbën një rrezik ndaj vlerësimit të kreditit të vendit, deklaron agjencia Moody’s.
Agjencia lajmëroi se rezultati ka vështirësuar negociatat për Brexit dhe se do të rrisë rrezikun drejt financave publike të vendit. “Kjo do të jetë negative për profilin e kreditit të Mbretërisë së Bashkuar”, thekson Moody’s.
Megjithatë, agjencia bëri të ditur se një qasje më e lehtë në kushtet e marrëveshjes për daljen, si një periudhë më e gjatë e tranzicionit apo ruajtja e anëtarësisë në tregun e përbashkët, do të jetë pozitive për statusin huamarrës të Britanisë.
Negociatat e Britanisë pritet të nisin në Bruksel të Hënën e ardhshme, ku Bashkimi Europian ka gjasa ti kërkojë Qeverisë një faturë për daljen, që pritet të arrijë në 100 miliardë dollarë. Negociatat mbi faturën, të drejtat e qytetarëve dhe dakordësitë tregtare duhet të përfundojnë në 2 vite.
“Afati i ngushtë kohor nënkupton se do të jetë kritike për Qeverinë që të sigurojë marrëveshjen për një periudhë tranzicioni”, deklaron Moody’s. Pavarësisht shpresave për një qasje më të butë ndaj Brexit, agjencia gjykon se Brexit do të ndodhë gjithsesi dhe se perspektiva për mos arritjen e dakordësive pas 2019-ës është ende një mundësi.
Përveç Brexit, Agjencia bëri të ditur se me këtë qeveri dhe perspektivën e një procesi zgjedhor tjetër, financat publike të vendit mund të përkeqësohen. Moody’s mban aktualisht një vlerësim prej Aa1 për Mbretërinë e Bashkuar, me perspektivë negative.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.