“Moody`s” vlerëson 2017 – Performancë e kënaqshme fiskale, dobët vetëm shpenzimet
Në raportin e fundit të agjencisë së vlerësimit të kreditit, Moody`s, të siguruar ekskluzivisht nga SCAN, nënvizohet edhe fakti se barra e borxhit publik do të vazhdojë të bjerë gradualisht në linjë me konsolidimin fiskal.
Qeveria targeton një deficit buxhetor prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin aktual, ndërkohë që performanca buxhetore për 9 muajt e vitit 2017 ka qenë pozitive, me një buxhet të përgjithshëm të konsoliduar që regjistron një defiçit në 2.5 miliardë lekë, ose 0.2% e prodhimit të brendshëm bruto, krahasuar me një deficit të targetuar prej 7.8 miliardë lekë.
Edhe performanca e mbledhjes së të ardhurave ka qenë mjaft pozitive vlerëson Moody`s në këtë raport, duke vlerësuar kështu rritjen e të ardhurave me 7.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rrjedhojë e mbledhjes së fuqishme të taksave e sidomos të qeverisjes lokale dhe sigurimeve shoqërore.
Në krahun e shpenzimeve ndërkohë, Moody`s ka rezervuar hapësira për kritika, pasi rezultojnë nën pritshmëritë e vetë qeverisë, pavarësisht zgjedhjeve të Qershorit. Moody`s projekton një deficit buxhetor në 1.7% për këtë vit, nën projeksionet e qeverisë, dhe në 2% për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Roel Kokuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.