“Moody`s” vlerëson institucionet – Progres i ndjeshëm. PPP mbeten rreziku kryesor për financat
“Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm në forcimin e cilësisë së institucioneve, me reformën në drejtësi një element mjaft pozitiv për të ardhmen e bisedimeve për anëtarësim në union”, thotë Moody`s në një njoftim të fundit për vendin tonë.
Krediti i profilit të Shqipërisë mbështetet nga cilësia e institucioneve, reformat dhe përmirësimin e perspektivës për të nisur negociatat për anëtarësim në union si dhe rritjen e fortë ekonomike, thuhet më tej.
Sa i përket sfidave të kreditit të vendit, Moody`s nënvizon pengesat ekonomike strukturore. Sa i përket projeksioneve të rritjes ekonomike, ato vlerësohen në rreth 4% përgjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm, e pandryshuar në krahasim me raportin e kaluar.
Rritja pritet të marrë mbështetje nga konsumi i fortë privat si dhe investimet madhore në infrastrukturë.
Moody`s pret që vrulli i reformave të vazhdojë duke nxitur kështu rritjen ekonomike pranë 4% edhe në terma afatgjatë, sidomos në sektorët si energjia, agro-bujqësia dhe turizmi, që janë edhe shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit.
Marrja e statusit kandidat në vitin 2014 vlerësohet si një pikë kthese për vendin tonë, që ka vijuar me reformat për forcimin e institucioneve në drejtim të administratës publike dhe gjyqësorit por edhe në luftën ndaj krimit.
Sa i përket performancës fiskale, Moody`s pret që borxhi publik të bjerë nën 70% të PBB në vitin 2019.
Rënia pritet të marrë shtysë jo vetëm nga rritja e fortë ekonomike si dhe konsolidimi fiskal, por edhe nga kursi i këmbimit. PPP vlerësohen si rreziku kryesor fiskal, së bashku me energjinë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.