“Moody`s” zhvlerëson ekonominë! Ekskluzive\ Projeksionet bien me 0.5 pikë, kriza politike ndikon më shumë se ç`pritej
Moody`s ka ulur në mënyrë drastike projeksionet për rritjen ekonomike të vendit tone. Në raportin shoqërues të vendimit për të mos ndryshuar notën e borxhit sovran të vendit, të siguruar ekskluzivisht nga “Scan”, vihet re se, projeksionet për rritjen ekonomike gjatë këtij viti janë ulur ndjeshëm, me gjysmë pikë përqindje, nga 3.8% që ishin më parë, në 3.3%. Sa i përket vitit të ardhshëm projeksionet mbeten të pandryshuara, në 3.8% rritje ekonomike. Moody`s e sqaron mes rreshtave të raportit shoqërues këtë vendim.
“Ne presim që rritja të zbresë në 3.3% në 2019-ën, kryesisht si pasojë e efektit të prodhimit të ulët në energji, investimeve më të ulëta, ngadalësimit të partnerëve tregtarë por edhe luhatjeve politike. Këto të fundit peshojnë në ndjeshmërinë konsumatore dhe të investitorëve në një shkallë më të madhe se çfarë ishte parashikuar më parë, thotë Moody`s në raport. Në raportin e kaluar, kriza politike nuk përmendej, ndërsa në raportin e sapo publikuar përmendet si një fakt mëse i vlefshëm për të zhvlerësuar rritjen ekonomike të vendit tonë këtë vit, me gjysmë pikë të prodhimit të brendshëm bruto. Ky është një prej vlerësimeve të para konkrete nga institucionet madhore ndërkombëtare të krizës politike në ekonominë e vendit.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.