Moratoriumi i kredive, e përdorën 1 në 5 – Banka Qendrore e Austrisë: Shqipëria, me një ndër normat më të ulta në rajon
Në Shqipëri, thuajse një në pesë individë ka përfituar nga vendimi i Bankës së Shqipërisë për moratoriumin e kredive gjatë pandemisë, masë e cila ishte në fuqi deri më 31 gusht të vitit të kaluar. Banka Qendrore e Austrisë ka publikuar për herë të parë një vrojtim mbi moratoriumin e huave në vendet e Europës qendrore dhe juglindore, mes të cilave edhe Shqipëria. Kështu, shifrat tregojnë se në vendin tonë, vetëm 19% e individëve huamarrës e kanë ushtruar opsionin e ngrirjes së pagesës së kësteve gjatë pandemisë, duke qenë në vështirësi për të paguar. Për disa vende të rajonit kjo shifër është ndjeshëm më e lartë, deri në 68% në rastin e Serbisë.
Edhe Maqedonia e Veriut, regjistron norma mjaft të larta, pranë 70%. Ndër vendet e rajonit të marra në analizë, ku mungon Kosova dhe Mali i Zi, vetëm Bosnje Hercegovina regjistron një normë më të ulët se vendi ynë. Ndërkohë, krahasuar me disa vende të Bashkimit Europian, norma e Shqipërisë është më e ulët se Hungaria dhe në të njëjtat nivele me Bullgarinë. Madje, Banka Qendrore e Austrisë në raport nënvizon faktin se, Shqipëria dhe Serbia përbëjnë përjashtim nga postulati se, norma e lartë e përhapjes së covid-19, si dhe normat e larta të borxhit të familjeve kanë çuar në përdorim më të gjerë të moratoriumit.
Por, pavarësisht shifrës së 19% të përdorimit të opsionit të moratoriumit, numrat tregojnë se Shqipëria ka normën më të lartë të atyre që kanë pasur të paktën një herë këst kredie të prapambetur në 12 muajt e fundit, plot 40%.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.