Moratoriumi i pyjeve – Alia: Sigurimi i lëndës së parë nga importi ka rritur çmimin e mobiljeve

Ndalimi i prerjes së pyjeve për një periudhë 10-vjeçare ka ndikuar në rritjen e çmimit të mobiljeve. Sipas përfaqësuesve të kësaj industrie tashmë lënda e parë sigurohet vetëm nga importi e si rezultat çmimi i produkteve përfundimtare është rritur me 30%. Por referuar mobiljeve që prodhohen për eksport, përpunuesit e drurit janë të favorizuar duke qenë se kanë zbritje të TVSH-së.
“Nga njëra anë është shumë mirë që është bërë moratoriumi, që të mos priten dhe të mos abuzohet me pyjet, por nga ana tjetër kemi gjetur prej 2-3 viteve vështirësi për gjetjen e lëndëve të para. Ato detyrohemi t’i gjejmë në zonat përreth Malit të Zi, por edhe Mali i Zi e ka ndërprerë, tani po gjejmë në Bosnje, Bullgari, Rumani, Ukrainë dhe vështirësitë janë të mëdha. Plus që kjo ndikon edhe tek çmimi, pasi çmimi është në tregun ndërkombëtar dhe ka një rritje mbi 30% nga tregu i vendit”, tha Alia.
Moratoriumi i pyjeve ka nisur të zbatohet që në vitin 2016 dhe do të jetë në fuqi për një periudhë 10–vjeçare. Sipas tij ndalohet prerja e pyjeve dhe përdorimi si lëndë e parë, me përjashtim të rasteve kur ato mund të përdoren për dru zjarri.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.